Prej sot e deri të shtunën shumë segmente rrugësh dhe autostradash në Kosovë do të mbyllen

Për shkak të garave çiklistike, nga dita e sotme e deri të shtunën do të ketë bllokim-ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të automjeteve në disa rrugë të Kosovës.

Sipas njoftimit, thuhet se Policia ka ndërmarrë veprimet e saj planifikuese dhe operacionale me qëllim të mbarëvajtjes së kësaj gare çikliste, raporton Zeri.info.

Njoftimi i plotë i Policisë, pa ndërhyrje:

Referuar planifikimeve për zhvillimin e garave ndërkombëtare çiklistike, të organizuara nga Federata e Çiklizmit e Kosovës “TOUR OF KOSOVO 2023’’ në çiklizëm rrugor, e cila do të mbahet më datat 7-8-9 shtator 2023, Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprimet e saj planifikuese dhe operacionale me qëllim të mbarëvajtjes së kësaj gare.

Policia e Kosovës ka hartuar planin operacional ku pjesë e tij është edhe ndërprerja e përkohshme e disa akseve rrugore përfshirë autostradat “Ibrahim Rugova” dhe “Arbër Xhaferi’’ përderisa zhvillohen garat në të cilat pritet të marrin pjesë edhe ekipe ndërkombëtare. Itinerari i garës sipas Federatës së Çiklizmit të Kosovës, ku parashihet ndërprerja e përkohshme e qarkullimit të trafikut është si vijon;

Etapa e parë; më 07.09.2023, nga ora 12:00, gara fillon nga sheshi “Ibrahim Rugova” në Prishtinë, përgjatë 5 kilometrave të para gara do të jetë e mbyllur deri në vijën zyrtare të startit, ku do të jetë në Veternik te pompa e benzinës, në anën e djathtë ku do të fillojë gara në drejtim të Bardhoshit (Gazimestan) do të kalojë përgjatë transitit në Fushë Kosovë – “Kroni Mbretit”- Malishevë – Suharekë – Prizren –Morinë ( kufiri me Shqipëri), kthimi majtas në drejtim të Prizrenit – Suharekë – Duhle, ku është përcaktuar finishi i garës para rrethrrotullimit “Qafë Duhël - Suharekë”, 500 metra para daljes nga autostrada “Prizren-Prishtinë”. Gjatësia e garës është 149 km.

Etapa e dytë; më datë 08.09.2023 prej orës 11:00, gara do të fillojë nga kufiri (Morinë), Prizren – Suharekë- Fushë Kosovë, kthimi djathtas për Ferizaj – Kaçanik dhe përfundimi në Han të Elezit me gjatësi të përgjithshme 147 km.

Etapa e tretë; më datë 09.09.2023, prej orës 11:00 deri 15:00, gara do të fillojë nga Hani i Elezit – Kaçanik-Ferizaj – Bardhosh (Gazimestan tek Unaza) – Fushë-Kosovë (Tranzit) - Komoran – Kroni i Mbretit.

Malishevë – Suharekë - Prizren – Morinë (kufiri me Shqipërinë), ku edhe është përfundimi garës (5 km, afër kufirit Morinë) me gjatësi të përgjithshme 157.5 km. Gjatë kësaj kohe, parashihet që të ketë bllokim/ndërprerje të qarkullimit të automjeteve në akse rrugore/autostrada (segmentet e lartcekura) dhe riorientim në rrugë të tjera alternative.

Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik rreth këtij bllokimi e riorientim të veturave në kohën sa do të jenë duke u zhvilluar garat. Andaj, qytetarët të planifikojnë me kohë qarkullimin në rrugë alternative në mënyrë që të mos krijohen tollovi e kolona të panevojshme. /Zëri