Rohde: Procesi i Berlinit po nxit integrimin jetik ekonomik në Ballkanin Perëndimor

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se Procesi i Berlinit ka sjellë përfitime të prekshme në jetën e qytetarëve.

“Procesi i Berlinit po nxit integrimin jetik ekonomik midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe lidhjen e tyre me BE-në. Përparimi i prekshëm i arritur përgjatë kësaj rruge përkthehet në përmirësime të rëndësishme në jetën e përditshme të njerëzve në rajon”, shkroi ambasadori gjerman.

Në 16 tetor, në kryeqytetin shqiptar Tiranë do të mbahet për herë të parë samiti i radhës i Procesit të Berlinit në një vend të Ballkanit Perëndimor.

Qëllimi i Procesit të Berlinit është thellimi i integrimit rajonal dhe udhëheqja e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian.

Kjo përfshin zhvillimin e infrastrukturës, ekonomisë, shkëmbimin rajonal e të rinjve, pajtimin dhe shkencën.