Tre të arrestuar për sulm ndaj kryetarit të FPK-së dhe rojeve të peshkimit në liqenin e Vërmicës

Tre persona të dyshuar janë arrestuar mëngjesin e sotëm, pasi dyshohet se kanë sulmuar personat që bënin inspektim te liqeni “Drini i Bardhë”.

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se sot janë arrestuar tre presona, pasi dyshohet se më 02.09.2023, rreth orës 06:15, në fshatin Vërmicë të Prizrenit, kanë sulmuar tre persona, të cilët po bënin inspektimin te liqeni “Drini i Bardhë” lidhur me peshkimin ilegal.

“Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Përgjithshëm, ka arrestuar edhe tre (3) persona A.S., S.P. dhe I.S., për shkak të dyshimit të bazuar mirë, se më datë 02.09.2023, rreth orës 06:15, në fshatin Vërmicë, komuna e Prizrenit, saktësisht te bregu i liqenit ‘Drini i Bardhë’, derisa të dëmtuarit M.V., L.M., N.Rr. po bënin inspektimin në liqenin ‘Drini i Bardhë’ lidhur me peshkimin ilegal, pasi janë fjalosur të dyshuarit L.S., A.S., A.S., S.P. dhe I.S., me të dëmtuarit dhe më pas i kanë sulmuar duke i goditur në pjesë të ndryshme të trupit, si pasojë e të cilave të dëmtuarit kanë kërkuar trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal në Prizren, të konstatuara nga raportet mjekësore”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Po ashtu, sipas njoftimit, thuhet se me këto veprime të lartcekurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, nga Neni 186 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Për të njëjtët Prokuroria brenda afatit ligjor ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Zëri