Osmani: Dita e Kushtetutës së Kaçanikut të shërbejë si moment reflektimi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në 33-vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut ka thënë se Kushtetuta e Kaçanikut, simbolizon përkushtimin tonë dhe guximin e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës për t’i dhënë drejtim përpjekjes për liri, demokraci e shtet të pavarur e demokratik.

Osmani thekson se delegatet dhe delegatët e atëhershëm meritojnë respektin më të lartë.

“Kushtetuta e Kaçanikut simbolizon përkushtimin tonë dhe guximin e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës për t’i dhënë drejtim përpjekjes për liri, demokraci e shtet të pavarur demokratik. Kjo Kushtetutë mishëron parimet e barazisë, lirisë dhe demokracisë dhe mbetet guri themeltar i plotësimit të idealit të brezave për Kosovën Republikë, duke ngërthyer në vete vlerat perëndimore, aspiratë e përhershme e qytetarëve të Kosovës”, tha presidentja.

Osmani tha se Dita e Kushtetutës së Kaçanikut duhet të shërbejë si një moment reflektimi dhe nxitje për t’i përmbushur parimet e Kushtetutës sonë.

“Dita e Kushtetutës së Kaçanikut duhet të shërbejë si një moment reflektimi dhe nxitje për t’i përmbushur parimet e Kushtetutës sonë, sikurse edhe mbrojtjes e afirmimit të vlerave për të cilat është përcaktuar shoqëria kosovare”, tha presidentja Osmani.