OBSH-ja sheh tendenca “shqetësuese” të COVID-19 përpara dimrit
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar tendencat “shqetësuese” të COVID-19 përpara dimrit në hemisferën veriore, duke bërë thirrje për rritjen e vaksinimeve dhe mbikëqyrjes.
Ndërsa shifrat janë “të kufizuara” sepse shumë vende kanë ndaluar raportimin e të dhënave të coronavirusit, agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara vlerësoi se qindra mijëra njerëz në mbarë botën janë aktualisht të shtruar në spital me virusin.
“Ne vazhdojmë të shohim tendenca shqetësuese për COVID-19 përpara sezonit të dimrit në hemisferën veriore”, tha shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus në një konferencë për shtyp në internet të mërkurën, përcjell Telegrafi.
“Vdekjet po rriten në disa pjesë të Lindjes së Mesme dhe Azisë, pranimet në njësinë e kujdesit intensiv po rriten në Evropë dhe shtrimet në spital po rriten në disa rajone”, ka shtuar ai.
Megjithatë, Tedros vuri në dukje se vetëm 43 vende – më pak se një e katërta e 194 vendeve anëtare të OBSH-së – po raportojnë vdekjet nga COVID-19 në agjenci, dhe vetëm 20 japin informacion në lidhje me shtrimet në spital.
“Ne vlerësojmë se ka qindra mijëra njerëz në spital tani për COVID-19”, ka thënë Maria Van Kerkhove, drejtuesja teknike e OBSH-së për COVID-19.
“Ky është një shqetësim duke pasur parasysh se kur kemi muaj më të ftohtë, në disa vende, njerëzit priren të kalojnë më shumë kohë në ambiente të mbyllura së bashku, dhe viruset që transmetohen përmes ajrit si COVID-19 do të përfitojnë nga kjo”, theksoi ajo.
Me gripin dhe viruset e frymëmarrjes, që qarkullojnë gjithashtu, Van Kerkhove theksoi rëndësinë e testimit dhe vaksinimit.
Ndërsa Tedros tha se ndërsa aktualisht nuk ka një variant të vetëm mbizotërues të koronavirusit COVID-19 në të gjithë botën, nënvarianti EG.5 Omicron është në rritje.
Një numër i vogël i nënvariantit BA.2.86 me mutacion të lartë janë zbuluar gjithashtu në 11 vende, tha Tedros.
OBSH po “monitoron nga afër këtë variant për të vlerësuar transmetueshmërinë dhe ndikimin e mundshëm të tij”, shtoi ai.