Rritet vlera e kompensimit për qytetarët që kërkojnë shërim jashtë vendit, ministri Vitia nënshkruan Udhëzimin Administrativ

Përmes Udhëzimit Administrativ, gjithsecili qytetar i Kosovës gëzon të drejtën e mbështetjes financiare në vlerë deri në 30,000 euro brenda një viti për shërbimet që nuk ofrohen në institucionet publike shëndetësore në Kosovë.

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, ka nënshkruar sot Udhëzimin Administrativ për trajtimin mjekësor jashtë institucioneve publike.

Në këtë UA janë përditësuar dhe avancuar rregullat dhe procedurat nëpërmjet të cilave Qeveria e Kosovës do të përkrahë financiarisht qytetarët për shërbime shëndetësore të cilat nuk ofrohen në institucionet publike shëndetësore, transmeton Zeri.info.

Ministria e Shëndetësisë, ka njoftuar se me këtë udhëzim, përveç që zgjerohet gama e shërbimeve për pacientët që kanë nevojë për trajtim jashtë vendit, evitohen zbrazëtirat që pamundësojnë ofrimin e shërbimeve për qytetarët tanë dhe sigurojnë një proces të rregullt dhe transparent.

Gjithashtu, të gjithë qytetarëve rezident sipas ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës u sigurohet e drejtë të qasjes së barabartë në kujdesin shëndetësor, respektivisht kur paraqiten kërkesa për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike.

Me Udhëzim, parashihet për herë të parë Komisionit për përcaktimin e çmimeve referente që është kompetent të propozojë përditësimin e shtojcës së çmimeve referente ku përfshihen sëmundjet, gjendja dhe procedurat për mbështetje nga programi për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike.

“Përmes UA Nr: 03/2023 gjithsecili qytetar i Republikës së Kosovës gëzon të drejtën e mbështetjes financiare në vlerë deri në 30,000 euro brenda një viti për shërbimet që nuk ofrohen në institucionet publike shëndetësore në Kosovë.

Personat me status të invalidit të luftës, anëtarët e ngushtë të familjes së dëshmorëve, viktimat civile të luftës do të kompensohen në shumën maksimale, 100%, të vlerës së faturës.

Gjithashtu, njëjtë do të përfitojnë edhe personat deri në 18 vjeç, personat me aftësi të kufizuara dhe ata që janë përfitues të ndihmës sociale”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Personat mbi moshën 18 vjeç kompensohen me 70% të vlerës së çmimit referent apo mesatares së çmimit të tri profaturave për trajtim mjekësor.

Ndërsa, për personat e diagnostikuar me sëmundje malinje mbi moshën 18 vjeçare është rritur vlera e kompensimit.

“UA Nr: 03/2023 ka thjeshtuar edhe procedurat e aplikimit për qytetarët, ndërsa referimi dhe përgjegjësia do të jetë tek profesionistët shëndetësor kompetent të cilët rekomandojnë trajtimin jashtë vendit”, thuhet në njoftim. /Zëri