FBK-ja licencon vetëm tri klube plotësisht, të tjerave u jep afat

Gjatë ditës së sotme, Federata e Basketbollit të Kosovës i ka bërë të ditura ekipet të cilat janë licencuar deri më tani për edicioni e ri të garave, i cili pritet të fillojë së shpejti.

Bazuar në kompetencat e Bordit të FBK-së që dalin nga Statuti, si dhe bazuar në Nenin 4 të Rregullores për Licencin dhe Garim në FBK, pas shqyrtimit të aplikacioneve të klube, Bordi ka marrë vendim që vetëm tri ekipe të licencohen plotësisht.

Këto tri skuadra, një është e meshkujve dhe dy të tjera të femrave.

Tek meshkujt, vetëm Istogu i ka plotësuar kushtet. Tek femrat, Bashkimi e Trepça e kanë arritur këtë.

Klubet e meshkujve si Vëllaznimi, Golden Eagle Ylli, Trepça, Sigal Prishtina, Prizreni, Bashkimi, Peja, si dhe tek femrat Peja 03, Prishtina, Penza e United Basketball janë licencuar me kusht.

Klubet e licencuara me kusht kanë afat deri më 12 Shtator të kompletojnë dokumentacionin e nevojshëm, me ç’rast fitojnë statusin e Klubit të licencuar plotësisht.

Në të kundërtën, konform Nenit 4, alineja 3 e Rregullores për Licencim dhe Garim, “pa posedim të licencës, asnjë subjekt nuk mund ta ushtrojë të drejtën e pjesëmarrjes në ndonjë garë ose organizimit të ndonjë gare të basketbollit”. Edicioni i ri i basketbollit pritet të fillojë këtë muaj me ndeshjet e Superkupës.