24 vjet nga themelimi i Policisë, këta janë zyrtarët që ranë në krye të detyrës

Nga themelimi i Policisë së Kosovës në vitin 1999 e deri më tash 22 zyrtarë policorë kanë rënë gjatë kryerjes së detyrës.

Rasti i parë kishte ndodhur me 11 shtator të vitit 2001, ku kishte mbetur i vdekur Lazim Rexhepi nga fshati Novosellë i Komunës së Kamenicës.

Ndërsa rasti i fundit kishte ndodhur më 28 janar të vitit 2020, ku ka humbur jetën polici Sami Thaçi, ndërkaq dy të tjerë janë plagosur gjatë një aksioni bastisjeje në fshatin Zhur të Prizrenit.

Asnjëri nga këta 22 pjesëtarët e Policisë së Kosovës të cilët rënë në detyrë nuk kishte sigurim jetësor.

Demokracia.com ju sjell rastet e 22 zyrtarëve të rënë gjatë detyrës, ku një nga ata ishte rreshter e të tjerët policë.

Polici Lazim Rexhepi, nga fshati Novosellë i Komunës së Kamenicës, ishte polici i parë i cili vdiq në detyrë si pjesëtar i Policisë së Kosovës. Rexhepi vdiq më 11 shtator të vitit 2001.

Në vitin 2003, vdiqën katër zyrtarë. Danush Hasani, nga Brodi i Ferizajt, ishte polici i cili ka rënë në detyrë më 21 gusht të vitit 2003.

Me 6 shtator të vitit 2003, polici Hajdar Ahmeti, derisa po kthehej nga puna, është vrarë në afërsi të fshatit të tij të lindjes, në Berjah të Gjakovës.

Me 24 nëntor të vitit 2003 ndodhi një atentat mbi dy zyrtarët policor, Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj.

Gjatë vitit 2004, humbën jetën tre zyrtar policor, dy prej të cilëve ishin nga komuna e Vushtrrisë.

Arsim Rrustolli nga fshati Dumnicë e Vushtrrisë u vra më 23 mars të vitit 2004.

Në po të njëjtin vit u vra edhe Ilir Llapatinca nga fshati Terrnje e Suharekës. Llapatnica ka rënë në detyrë më 13 maj të vitit 2004.

Në fund të vitit 2004, konkretisht me 25 dhjetor ishte polici Driton Mehana, polici i dytë që ra në detyrë nga fshati Liqej i Vushtrrisë.

Abedin Mustafa, nga Komuna Mitrovicës ishte pjesëtari i Policisë së Kosovës i cili ka rënë në detyrë më 19 shtator të vitit 2006.

Me 3 janar të vitit 2007, në detyrë ka rënë edhe pjesëtari i Policisë së Kosovës, Avni Kasumi nga fshati Skoqne e Vushtrrisë.

Me 30 gusht të vitit 2007 në lagje Dardania të Prishtinës u qëllua për vdekje Triumf Riza ish-pjesëtar i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

Me 20 nëntor të vitit 2010 ka humbur jetën edhe Arben Sejdiu, ku ai u ra në detyrë fshati Grabanicë.

Slavisa Milovanoviq ra në detyrë si pjesëtarë e Policisë së Kosovës më 15 korrik të vitit 2011 në Mitrovicë.

E më datë 26 korrik 2011 ra në detyrë pjesëtari i Policisë së Kosovës Misin Krasniqi, nga fshati Negroc i Drenasit.

Enver Zymberi, u bë polici i katërt nga rajoni i Vushtrrisë, i cili ra në krye të detyrës. Ai ishte pjesëtar i Njësisë Speciale në Policinë e Kosovës ishte vrarë më 26 korrik 2011 gjatë aksionit të njësive speciale për vënien e rendit dhe kushtetutshmërisë në veri të Kosovës.

Ndërsa me 15 prill të vitit 2014 humbi jetën edhe polici Jahi Maliqi, në një aksident komunikacioni në qytetin e Kamenicës për Strezovc.

Me 3 mars 2015 ka humbur jetën Nebih Ramadani nga fshati Gaçkë e Ferizajt, derisa ishte goditur nga një veturë, teksa ishte duke ecur në rrugën që dërgon drejtë Kaçanikut.

Shemsi Gasi, nga Matiçani i Prishtinës, është vrarë me 23 mars të vitit 2015.

Përderisa kishin kryer një detyrë me 28 prill të vitit 2018 e cila u ishte caktuar, në të kthyer, dy pjesëtarët e Policisë së Kosovës nga rajoni i Ferizajt, Armend Trena dhe Malsor Dashi, u aksidentuan në magjistralen Kaçanik-Hani i Elezit dhe ranë në ujërat e lumit Lepenc.

Izet Demaj pjesëtari i Policisë së Kosovës i cili ra në detyrë.

Ai u vra me 27 dhjetor të vitit 2018, gjatë një grabitjeje të armatosur e cila ndodhi në Istog.

Dhe rasti i fundit, kishte ndodhur më 28 janar të vitit 2020, ku ka humbur jetën polici Sami Thaçi, ndërkaq dy të tjerë janë plagosur gjatë një aksioni bastisjeje në fshatin Zhur të Prizrenit.