Gjykimi ndaj 20 policëve të veriut, avokatët deklarojnë se u paralajmërua që njëra vepër penale do të largohet

Mbrojtësit e të akuzuarve, Jasna Durleviq dhe Nebojsa Gogiq, avokatët Asdren Hoxha dhe Musa Damati, thanë se është paralajmëruar që do të ketë ndryshime në aktakuzë, përkatësisht do të largohet vepra penale “Marrje e ryshfetit”.

Në këtë rast bashkë me Gogiqin dhe Durleviqin për korrupsion dhe kontrabandë me mallra në veri po akuzohen edhe Zvezdan Spasojeviq, OIiver Kuzmanoviq, Biljana Nedeljkoviq, Albert Maxhuni, Milija Milunoviq, Abdurrahim Haxhiq, Ramadan Mustafiq, Dejan Spasojeviq, Dragosh Kompiroviq, Zenel Bahtiri, Ali Pllana, Zoran Radunoviq, Reshat Kuçi, Vukadin Tomasheviq, Blagica Tomoviq, Ljubisa Vujinoviq, Burim Merovçi dhe Blagoje Lazoviq.

Avokati Hoxha tha se vepra penale “Marrje ryshfeti” pritet të largohet nga ana e prokurorit të çështjes Burim Çerkini.

“Sa i përket ndryshimeve, ato tash janë zyrtare, janë paralajmru nga prokurori i çështjes që do të hiqet njëra vepër penale përkatësisht marrja e ryshfetit sepse në njëfarë mënyre njëra-tjetrën e konsumojnë juridikisht. Veprimet e përshkruara në dy dipozitivët e aktakuzës kanë qenë gati identike dhe se me një veprim nuk është e drejtë të ekzistojnë dy vepra penale apo dy dispozitiva të aktakuzës që mendoj që kjo është veprim korrekt nga ana e Prokurorisë”, ka thënë avokati Hoxha.

Tutje, Hoxha shtoi se nga fillimi kanë thënë se nuk ka prova në këtë çështje penale dhe se shumica prej tyre janë marrë në kundërshtim me ligjin dhe se në fund të procesit gjyqësor provat do të shpallen të papranueshme.

Po ashtu, i njëjti tha se vepra penale “Keqpërdorim i pozitë apo autoritetit zyrtar” nuk vjen në shprehje nëse do të hiqet vepra penale “Marrja e ryshfetit”.

Avokati Hoxha tha se që në çështje në përgjithësi nuk është punuar mirë që në fazën e hetimeve dhe sipas tij, diçka kur nuk fillon mirë gjykohet me dështim.

Ndërsa, avokati Musa Damati tha se pritet të mbetet vetëm vepra penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”, e cila sipas tij është dashur të procesohet më herët qysh në fazën e hetimeve.

“Në këtë çështje penale pritet të ndodhin ndryshime sa i përket aktit akuzues, përkatësisht pritet të bëhet ndryshimi në raport me veprën penale të dyshimeve për marrje të ryshfetit dhe pritet të mbetet bazë vetëm vepra penale e keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”, tha avokati Damati.

Në fund, i njëjti tha se pret që i mbrojturi i tij Gogiq të lirohet nga akuza.

Lidhur me pretendimet e mbrojtësve Hoxha dhe Damati, ka kontaktuar edhe me prokurorin e çështjes Burim Çerkini, i cili tha se sot nuk është mbajtur seanca dhe se në momentin që ka ndonjë ndryshim do të njoftojë në seancën e radhës.

Ndryshe, seanca e së mërkurës ndaj 20 policëve të veriut, dështoi për shkak të mungesës së të akuzuarit Oliver Kuzmanoviq për shkaqe shëndetësore. /BetimipërDrejtësi