Blinkeni mbërrin në Kiev, vizita e tretë që nga fillimi i luftës

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken mbërriti në Kiev të mërkurën në atë që është udhëtimi i tij i tretë në kryeqytetin ukrainas që nga fillimi i pushtimit të plotë të Rusisë në shkurt 2022, shkruan CNN.

Vizita vjen ndërsa kundërofensiva e Ukrainës është në muajin e saj të katërt, me liderët politikë dhe ushtarakë në Kiev që flasin për arritjet e fundit, veçanërisht në jug të vendit.

Blinkeni pritet të takohet ndër të tjera, me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Vizita e kryediplomatit të Uashingtonit është një mundësi për Shtetet e Bashkuara dhe Ukrainën përpara Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (UNGA) që pritet të mbahet këtë muaj.

“Ukrainasit kanë një mision të rëndësishëm në Nju Jork për të vazhduar t’u shpjegojnëaleatëve dhe partnerëve të tyre në mbarë botën se çfarë po ndodh dhe nevojën e tyre të vazhdueshme për mbështetje. Dhe është e rëndësishme për ne që të vazhdojmë të udhëheqim atë përpjekje globale për t’i mbështetur ata“, tha një nga zyrtarët amerikanë që shoqëron Blinkeni.

Vizita e Blinkenit në Kiev vjen më pak se një muaj pasi presidenti Joe Biden i kërkoi Kongresit më shumë se 24 miliardë dollarë për të ndihmuar Ukrainën të mposhtë Rusinë në luftën e vazhdueshme.

Kjo vizitë do të ndihmojë administratën të vazhdojë këtë mbështetje për popullin amerikan, tha zyrtari. Blinkeni pritet gjithashtu të njoftojë më shumë se një miliardë dollarë për Ukrainën gjatë kësaj vizite, me një pjesë të kësaj ndihme të re për sigurinë, sipas zyrtarit.

Sekretari Blinken mbërriti në Kiev të mërkurën në mëngjes pasi bëri një udhëtim gjatë natës me tren nga Polonia.

Në prill 2022, Blinkeni bëri udhëtimin me sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin, vetëm disa javë pasi forcat ruse ishin tërhequr nga zonat menjëherë në veri të kryeqytetit ukrainas.

Udhëtimi i tij i dytë ishte në shtator të vitit të kaluar, ndërsa kundërofensiva e parë e madhe e Ukrainës ishte duke u zhvilluar në rajonin e Kharkivit. Sipas Departamentit të Shtetit, Blinkeni gjithashtu shkoi në Ukrainë në mars 2022, kur u takua në kufi me ministrin e Jashtëm Kuleba. /abcnews