Kushtetuesja konstaton shkelje në të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm në rastin e Ukë Salihut

Gjykata Kushtetuese ka deklaruar si të pranueshme kërkesën e parashtruar nga Ukë Salihu për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme në padinë e tij kundër Policisë së Kosovës.

Ukë Salihu në cilësinë e Zëvendëskryesuesit të Komisionit të Brendshëm Disiplinor, brenda Policisë së Kosovës kishte paditur Policisë së Kosovës, pasi që kjo e fundit ia refuzoi kërkesën për nivelizimin e pagës së tij, për punët që i ka kryer nga viti 2010 deri në vitin 2015. Gjykata Themelore në Prishtinë fillimisht e kishte aprovuar padinë e parashtruesit të kërkesës si të bazuar, por pas ankesës së Policisë së Kosovës, Gjykata e Apelit e ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe e hodhi poshtë kërkesën e parashtruesit si të pabazuar. Ndërsa, Gjykata Supreme e refuzoi si të pabazuar kërkesën për revizion të parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi në tërësi Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.

Bazuar në shkresat e lëndës, ndaj ankesës së parashtruar në Gjykatën e Apelit nga Policia e Kosovës, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur përgjigje, por në Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit ajo nuk është shqyrtuar. Për më tepër, Gjykata e Apelit i konfirmoi Gjykatës se përgjigja në padinë e parashtruesit të kërkesës ishte dorëzuar me kohë, por për shkak të gabimit teknik e ka pranuar pas nxjerrjes së vendimit të kontestuar.

Parashtruesi i kërkesës kontestoi në Gjykatë Aktgjykimin e lartpërmendur të Gjykatës së Apelit, duke pretenduar shkeljen e të drejtave të tij të mbrojtura me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; në thelb, për shkak të: mos shqyrtimit të përgjigjes së tij ndaj ankesës së palës kundërshtare dhe, si pasojë, shkeljes së parimit të “barazisë së armëve”; zbatimit të gabuar të ligjit; si dhe mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor.

Në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se kjo gjykatë u përqendrua në pretendimet lidhur me parimin e “barazisë së armëve” dhe parimin e “kontradiktoritetit”, si rezultat i së cilës Gjykata e Apelit nuk e shqyrtoi përgjigjen e parashtruesit të kërkesës ndaj ankesës së palës kundërshtare, duke shtjelluar fillimisht parimet e përgjithshme në lidhje me parimin e “barazisë së armëve” dhe parimin e “kontradiktoritetit” procedural, të garantuar me paragrafin 1 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe praktikën përkatëse gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe më pas i zbatoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Nisur nga këto parime, Gjykata fillimisht sqaroi se, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi përgjigjen në ankesë brenda afatit ligjor dhe vlerësoi se Gjykata e Apelit, pasi nuk e ka shqyrtuar përgjigjen ndaj ankesës në Aktgjykimin [Ac. nr. 2046/17] të 9 korrikut 2020, nuk arriti të garantojë zbatimin e parimit të “barazisë së armëve” dhe parimin e “kontradiktoritetit” procedural, sepse parashtruesi i kërkesës u vu në një pozitë dukshëm më pak të favorshme në krahasim me palën e kundërt, dhe si rrjedhojë i ishte hequr mundësia për t’u përballur realisht dhe në mënyrë thelbësore me argumentet dhe pretendimet e bëra nga pala e kundërt.

Lidhur me këtë rast, Gjykata Kushtetuese njëzëri konstatojë se ka pasur shkelje të paragrafit 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejta e Njeriut, ndërsa vendosi që aktgjykimet e kontestuara të Gjykatës Supreme dhe Gjykatës së Apelit të shpallen të pavlefshme, dhe çështja të kthehet në Gjykatën e Apelit për rigjykim. /BetimipërDrejtësi