Vrasja në “Bon Vivant”, i caktohet paraburgimi edhe të dyshuarit që u arrestua para pesë ditësh

Gjykata Themelore në Prishtinë, ia ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji të pandehurit N.Ll., i dyshuar për veprën penale “Dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprave penale”, lidhur me rastin vrasjes së 4 gushtit në “Bon Vivant”.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit N.Ll, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes se veprës penale, nga neni 380 paragrafi 2,  të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, konfirmoi ajo.

Në përgjigjen e Gashit, thuhet se masa e paraburgimit është caktuar në harmoni me nenin 184, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1, dhe 1.2.3 të KPPK-së, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit N.LL dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, masa e paraburgimit  është caktuar  në harmoni me nenin 184 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1, dhe 1.2.3 të KPPK-së, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes se veprës penale”, thuhet më tej.

Sipas gjykatës, kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës  Themelore në Prishtinë.

Ndryshe, me urdhër të prokurorit të shtetit, më 31 gusht 2023, ishte ndaluar N.Ll., i dyshuar për veprën penale “Dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprave penale”.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 4 shtator 2023, ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj Andi Pajazitit, i dyshuar për përfshirje në rastin e 4 gushtit në “Bon Vivant”, ku si pasojë e të shtënave me armë vdiq 39-vjeçari K.R.

Ndryshe, Gëzim Zakuti dhe Hisni Gecaj, të dyshuar për vrasjen e 4 gushtit në “Bon Vivant”, më 29 gusht 2023 janë liruar nga masa e paraburgimit.

Ndryshe, më 17 gusht 2023, Gjykata e Apelit kishte njoftuar se i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të dyshuarve Andi Pajaziti, Hisni Gecaj dhe Gëzim Zakuti, të cilët dyshohen për përfshirje në rastin e 4 gushtit në “Bon Vivant”, ku si pasojë e të shtënave me armë vdiq 39-vjeçari K.R., duke vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin tre të dyshuarve iu kishte caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh (secilit veç e veç).

“Gjykata e Apelit me aktvendimin PN1.DKR.nr.876/2023, të datës 16.8.2023, i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve A.P, H.G dhe G.Z, ndërsa aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda PPRKR.nr.190/2023, të datës 06.08.2023, e ka vërtetuar. Në arsyetim të aktvendimit Gjykata e Apelit ka theksuar se gjykata e shkallës së parë drejtë ka arsyetuar se nga shkresat e lëndës respektivisht nga provat e mbledhura deri me tani ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen dhe po ashtu nga provat e mbledhura deri me tani janë plotësuar kushtet ligjore nga neni 184 par.1 nen par.1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPRK-së,  që janë kushte qenësor për caktimin e masës së paraburgimit”, thuhej në njoftimin e Apelit.

Ndryshe, i dyshuari tjetër për përfshirje në këtë rast, Dukagjin Nikollaj, gjendet në arrati.

 Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 5 gusht 2023 njoftoi se të gjithë të dyshuarit për përfshirje në rastin “Bon Vivant”, kanë të kaluar kriminale. Kurse, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka bërë fajtor sistemin e drejtësisë për vrasjen në “Bon Vivant”.

Lidhur me rastin e 4 gushtit, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës kishte njoftuar se 17  persona janë lënduar, kurse njëri prej tyre vdiq si pasojë e plagëve të marra. Rasti dyshohet se ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të dyshuarve.

Policia e Kosovës e kishte konfirmuar në orët e para të 5 gushtit se në incidentin që ka ndodhur në një lokal në qendër të Prishtinës ka persona të plagosur me armë zjarri, por edhe nga copat e xhamave.