Prokuroria kërkon paraburgim për mjekun që dyshohet për marrje ryshfeti në QKUK

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar t’i caktohet masë paraburgimi mjekut me inicialet S.D., për shkak të dyshimit për veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Lajmi e bëri të ditur zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

“Lidhur me këtë çështje penale, ju njoftojmë se prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë Gjykatës kompetente ndaj S.D., për shkak të veprës penale ‘Marrja e ryshfetit’, sipas KPRK-së”, ka thënë Ulaj.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka dhënë disa detaje pas arrestimit të mjekut me inicialet S.D., nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Marrje e ryshfetit”, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të hënën, rreth orës 11:05, në Prishtinë.

Tutje në raport bëhet e ditur se nga i dyshuari në cilësi të provave janë sekuestruar një shumë e të hollave, një telefon celular, si dhe disa pajisje mjekësore.

Pas arrestimit të mjekut kanë reaguar edhe nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, të cilët kanë shprehur shqetësimin e tyre pas marrjes së lajmit. Tutje në reagim është bërë e ditur se drejtoria e SHSKUK-së është duke e përcjellë me vëmendje këtë situatë dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore.