Dështojnë bisedimet për grurin, Erdogani s’e bind dot Putinin

Bisedimet mes presidentit rus dhe atij turk për ripërtëritjen e akordit të grurit kanë dështuar. Marrëveshja, nga e cila Moska u shkëput në korrik, i lejoi Ukrainës dhe Rusisë të eksportonin drithëra pa rrezikun që anijet e tyre të sulmoheshin.

Por Putini prej kohësh është ankuar se Perëndimi nuk përmbush detyrimet. Tani, ai ka deklaruar se akordi mund të ripërtërihet vetëm kur kjo të ndodhë.

“Sikurse e kam thënë më shumë se një herë, Rusia u detyrua ta merrte atë vendim pasi vendet e Perëndimit bllokuan dhe vazhdojnë të bllokojnë përmbushjen e marrëveshjes së drithërave, në aspektin që nuk lejojnë aksesin e produkteve agrikulturore ruse në tregun global. Kaq e thjeshtë është; ata refuzojnë të heqin sanksionet për eksportin e grurit tonë, refuzojnë të rifillojnë shpërndarjen e produkteve tona, të heqin pengesat logjistike, rifillimin e shërbimeve bankare dhe sigurimin për furnizimet ushqimore”, tha Putini.

Putini tha gjithashtu se Rusia është pranë finalizimit të furnizimit falas me grurë për 6 vende afrikane, por Recep Tayyip Erdogani, që ndërmjetësoi akordin e detit të Zi, theksoi se pakti në fjalë mbetet zgjidhja e vetme.

“Propozimet alternative të sjella në agjendë nuk ofrojnë një model të sigurt dhe të qëndrueshëm të bazuar tek bashkëpunimi mes palëve, siç ofronte akordi i detit të Zi”, u shpreh Erdogani.

Rusia dhe Ukraina janë mes eksportueseve më të mëdha të grurit në botë dhe marrëveshja është jetike për sigurinë ushqimore në vendet në zhvillim.

Erdogani tha se Turqia dhe OKB-ja kanë plotësuar një draft me propozime dhe se përpjekjet për të bindur Putinin për t’i pranuar ato do të vazhdojnë. /euronews