Mbrohen në heshtje të akuzuarit për vrasjen e 15-vjeçarit dhe babait të tij

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dy të akuzuarit Xhafer dhe Amir Bardhi, të martën, kanë vendosur të mbrohen në heshtje dhe të mos deklarohen lidhur me akuzën se si rezultat i një mosmarrëveshjeje pronësore kishin privuar nga jeta 15-vjeçarin A.M. dhe prindin e tij B.M.

Fillimisht, mbrojtësi i të akuzuarit Xhafer Bardhi, avokati Haxhi Millaku, deklaroi se klienti i tij pas konsultimit të mjaftueshëm ka vendosur që të mbrohet në heshtje dhe të mbështesë të gjitha deklarimet e dhëna gjatë gjithë procedurës penale.

“I mbrojturi im edhe në konsultim me mua gjatë kohës sa gjykata ma mundësoi mjaftueshëm që të konsultohet me të mbrojturin tim, u dakorduam se mbrojtjen sot nuk do ta paraqes por mbështet, përkatësisht do të mbrohet në heshtje, mbështet deklarimet e tija të dhënat në rikonstruimin e vendit të ngjarjes me të gjitha përgjigjet në pyetjet të cilat janë bërë nga palët në procedurë dhe nga trupi gjykues”, tha avokati Millaku.

Ai shtoi se i akuzuari njëherësh i mbështet deklarimet e dhëna gjatë fazës së procedurës.

Tutje, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Amir Bardhi, avokati Agron Hoti tha se edhe klienti i tij do të mbrohet në heshtje, duke qëndruar mbrapa deklarimeve të dhëna në Prokurori, në seancën e rikonstruimit të vendit të ngjarjes.

“Meqenëse u konsultuam mjaftueshëm me të mbrojturin tim dhe i njëjti ka vendosur që të mbetet pranë deklaratës të dhënë në Prokurori, të datës 25 nëntor 2021 si dhe asaj të shqyrtimit përkatësisht rikonstruimit të vendit të ngjarjes, andaj e mbështes qëndrimin e të mbrojturit tim dhe për këtë fazë e konsideroj si të mjaftueshëm”, deklaroi avokati Hoti.

Ndërkaq, të pyetur nga kryetari i trupit gjykues Agim Kuçi lidhur me fjalën përfundimtare, prokurori Bashkim Zeqaj propozoi që fjala përfundimtare të jepet në seancën e ardhshme, me arsyetimin se për këtë seancë ishte përgatitur për marrjen në pyetje të të akuzuarve.

“Sot meqenëse është caktuar dhënia e mbrojtjes nga ana e të pandehurve dhe fjala jonë përfundimtare do të përgatitet pas deklarimit të të pandehurve, meqenëse të njëjtit sot janë mbrojtur në heshtej, andaj fjalën përfundimtare do ta përgatisim me shkrim dhe do ta elaborojmë në seancat e ardhshme”, deklaroi prokurori Zeqaj.

Këtë deklarim të prokurorit Zeqaj, e mbështetën edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Ndrec Dodaj si dhe nga avokatët Millaku dhe Hoti, ku këta dy të fundit shtuan se pas rikonstruimit të vendit të ngjarjes prokurori duhet të shqyrtojë përshkrimin faktik dhe juridik.

Ky propozim i prokurori Zeqaj u aprovua nga trupi gjykues, duke e caktuar seancën e radhës më 4 tetor 2023, për dhënie të fjalës përfundimtare.

Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues Agim Kuçi konstatoi se lidhur me CD e rikonstruimit të vendit nuk ka vërejtje nga palët në procedurë.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 28 shkurt 2022, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të pandehurit Xhafer Bardhi dhe Amir Bardhi po akuzohen se më 5 prill 2021 në vendin e quajtur “Zabel” në pyllin e fshatit Gradicë, për shkak të një mosmarrëveshje pronësore rreth së drejtës së shfrytëzimit të malit, me dashje të pandehurit Bardhi në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta të miturin- tani të ndjerin A.M. 15-vjeçar dhe prindin e tij B.M.

Aktakuza thotë se të njëjtit kanë vënë në rrezik dhe jetën e personave tjerë, të dëmtuarave Valdrin, Valmir dhe Driton Muja, në atë mënyrë që derisa i pandehuri Amir Bardhi ka qenë duke ecur rrugës së malit bashkë me djalin e axhës së tij, dëshmitarin Fisnik Bardhi, aty takohen me të dëmtuarin Valdrin Muja, i cili ka shkuar nga mali, vendi ku ka qenë duke prerë drunj, për ta marrë traktorin dhe për të ngarkuar drunjtë të cilat kanë qenë duke i prerë në mal.

Më pas, aktakuza thotë se Amiri e ka pyetur Valdrinin se “çka jeni duke bërë” dhe se i njëjti i tregon se janë duke prerë drunj në mal dhe më pas i dëmtuari Valdrin vazhdon rrugën në drejtim të vendit ku kanë qenë duke prerë drunjtë, ndërsa Amiri dhe Fisniku po ashtu ndahen.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Amir nëpërmjet telefonit e njofton të pandehurin Xhafer se të dëmtuarit janë duke prerë drunj në mal të cilët bisedojnë për 62 sekonda.

I pandehuri Xhafer, i cili ka qenë në shtëpi, thuhet se i merr dy drita për ndriçim të cilat vendosen në kokë, merr armën-pushkën e gjuetisë dhe niset më veturën e tipit “Golf 2” e rrugës bëhen bashkë të dy të pandehurit dhe vazhdojnë në drejtimi të vendit ku të dëmtuarit kanë qenë duke prerë drunj.

Aty, i pandehuri Amir thuhet se ka kontribuar në kryerjen e veprës penale, duke ndriçuar me njërën dritë për të krijuar mundësinë për gjuajte të pandehurit Xhafer, e po ashtu edhe i pandehuri Xhafer ka ndriçuar me njërën dritë dhe menjëherë ky i fundit ka shtënë me armë në drejtim të të dëmtuarit tani të ndjerit A.M., i cili në atë moment bërtet “babë më rroki”.

Pastaj, kur i ndjeri B.M. dhe i dëmtuari Valdrin shkojnë në drejtim të A.M për t’i dhënë ndihmë, atëherë thuhet se i pandehuri Xhafer prapë shkrep dhe e qëllon tani të ndjerin B.M. në kokë, ku më pas i thotë të pandehurit Amir “ikim bir se u bo m**”.

Aktakuza thotë se në vendin e ngjarjes janë gjetur 16 gëzhoja të vogla me të cilat i kanë rrezikuar edhe të dëmtuarit Valdrin, Valmir dhe Driton Muja, të cilët kanë qenë prezent duke prerë dhe bartur drunj, ku këta dy të fundit janë alivanosur pas dy të shtënave.

Gjithnjë sipas aktakuzës, për të ndjerin A.M. në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Drenas konstatohet vdekja e tij, ku vdekja e tij është e dhunshme dhe ka ardhur si rrjedhojë e gjakderdhjes masive të brendshme dhe të jashtme si pasojë e veprimit dinamik të predhave të hedhura nga arma e gjuetisë. Ndërsa, tani i ndjeri B.M. pëson lëndime të rënda trupore, ku më 15 prill 2021 ndërron jetë në QKUK edhe ai si pasojë e plagëve vdekjeprurëse.

Me këtë, të pandehurit Bardhi akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga Neni 173, paragrafi 1, pika 1.1, 1.5 dhe 1.11 lidhur me Nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kurse, sipas dispozitivit të dytë të kësaj akuze, i pandehuri Xhafer në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla ka pasur në posedim armën-pushkën e gjuetisë të cilën e ka punuar vetë. Me këtë, i pandehuri Xhafer Bardhi akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga Beni 366, paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi