Hoxhaj kritikon qeverinë “Kurti” për anëtarësimin e Serbisë në ASEAN

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kritikuar qeverinë “Kurti” lidhur me politikëbërjen në diplomaci.

Përmes një reagimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Hoxhaj ka thënë se në një botë multipolare qeveria “Kurti” ndoqi politikë të jashtme tmerrësisht të gabuar, ku demokracia perëndimore e sanksionoi dhe shtetet e mëdha aziatike, njohëse të Kosovës, çdo ditë po e përjashtojnë.

“Në një botë multipolare, qeveria ‘Kurti’ ndoqi politikë të jashtme tmerrësisht të gabuar, ku demokracia perëndimore e sanksionoi dhe shtetet e mëdha aziatike, njohëse të Kosovës, çdo ditë e përjashtojnë, sikurse edhe anëtarësimi i djeshëm i Serbisë në ASEAN, organizatën më ndikim dhe një zonë shumë e zhvilluar e Azisë”, shkroi ai.

Ky reagim i Hoxhajt vjen pasi Serbia gjatë ditës së djeshme është bërë anëtare e organizatës më të madhe të Azisë, ASEAN. Hoxhaj edhe më herët ka reaguar ndaj paralajmërimit të anëtarësimit të Serbisë në këtë organizatë.