Rukiqi: Qeveria “Kurti” po manipulon me statistikat e investimeve të huaja

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, tash zyrtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka drejtuar akuza në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se po manipulojnë me shifrat për investimet e huaja direkte.

Rukiqi ka thënë se Lëviza Vetëvendosje po i përdor për krahasim muajt që u kanë konvenuar më shumë.

Sipas Rukiqit, qeveria “Kurti” është qeveria me performancën më të dobët në realizimin e investimeve kapitale.

“Një qeveri, me performancën më të dobët në realizimin e investimeve kapitale, që nuk ka arritur të nisë asnjë projekt të rëndësishëm për ekonominë e vendit, e për më shumë e ka përkeqësuar rejtingun e Kosovës për investime të jashtme, duke prodhuar kriza të vazhdueshme, e vetmja rrugë për të treguar ndonjë ‘sukses’, është tentativa për manipulim, me statistika të paqëndrueshme dhe grafikone të hiperbolizuara. Kontributi më i rëndësishëm i këtij pushteti në ekonominë e vendit janë prodhimi i videove propaganduese dhe infografikes me manipulime statistikore”, shkroi Rukiqi.