U gjet arma e krimit dhe u arrestua i dyshuari, gjithçka që dihet për vrasjen e 48-vjeçarit në Prizren

Një vrasje e rëndë ka tronditur vendin mbrëmjen e së dielës. Në lagjen “Arbana” të Prizrenit një 48-vjeçar me inicialet B.M. ka mbetur i vrarë nga arma e zjarrit.

Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari Aziz Gashi, i cili me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

LEXO EDHE: Arrestohet i dyshuari për vrasjen e 48-vjeçarit në Prizren

Policia e Kosovës ka konfirmuar se ai është arrestuar në Tërpezë të Malishevës, ndërsa në një objekt tjetër është gjetur arma me të cilën dyshohet se ka kryer krimin.

“Po, është arrestuar gjatë ditës. Gjatë ditës është bastisur së paku një objekt, aty nuk është gjet i dyshuari, por arma e tij që dyshohet se është përdorur. Në mbrëmje është arritur të lokalizohet i dyshuari, në fshatin Tërpezë të Malishevës”, ka thënë zëdhënësi i policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

LEXO EDHE: Detaje nga vrasja që tronditi Prizrenin, ky është 48-vjeçari që u qëllua për vdekje [foto]

Sipas tij, dyshohet se Aziz Gashi kishte shtënë me pushkë automatike në drejtim të viktimës nga automjeti në lëvizje dhe kishte ikur nga vendi i ngjarjes.

Ndërkaq përmes një njoftimi për media, policia ka bërë të ditur se në lokacionin ku është gjetur arma janë gjetur edhe disa sende personale të të dyshuarit.

LEXO EDHE: “Vrasjet trend në rritje, shqetësues numri i madh i armëve ilegale”

“Gjatë ditës së sotme, me urdhër të prokurorit dhe me autorizim të Gjykatës Themelore në Prizren, është bastisur një lokacion në Malishevë, ku është dyshuar se mund të gjendet i dyshuari, në atë lokacion nuk është gjetur i dyshuari, por është gjet një armë - pushkë automatike që dyshohet se është përdor në rastin e krimit, në lokacionin e njëjtë janë gjetur edhe disa sende personale të dyshuarit”, thuhej në njoftim.

LEXO EDHE: “E ka vra me kallash në sy të fëmijëve e gruas”, dëshmitari i rastit rrëfen momentin kritik të vrasjes në Prizren

Sipas Policisë, i dyshuari dhe viktima kishin pasur një mosmarrëveshje, e cila kishte sjellë deri te rasti tragjik.