Stafi teknik në QKUK detyrohet t’i kthejë rrogat me rritje

Fatime Sadiku për muajin korrik ka marrë 33 euro më pak rrogë, për dallim nga muajt paraprak.

Paga me ulje, asaj i ka ndodhur për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës, që punonjësit me shkollim të mesëm t’u ulet koeficienti.  

Sadiku, që punon si teknike në Klinikën e Radiologjisë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, që nga viti 1985 dhe për gjashtë muajt e ardhshëm do të marrë 33 euro më pak.

Një vendim të tillë, ajo e quan krejtësisht të padrejtë, pasi thotë se puna dhe angazhimi i saj, është i njëjtë sikur i kolegëve të saj që kanë të kryer fakultetin.

Sikur Sadiku, janë edhe shtatëmijë punonjës tjetër shëndetësorë me nivel shkollimi të mesëm, që do të marrin mbi 30 euro më pak në muaj.

Sipas Ligjit të Pagave, kategorizimi i stafit mjekësor që ka bërë Qeveria, ku nga koeficienti 5.6, stafit teknik me nivel të shkollës së mesme, i është zbritur koeficienti në 5.3.

Si pasojë e kësaj, punëtorët e kësaj kategorie do të detyrohen t’i kthejnë mjetet që kishin marrë sipas koeficientit paraprak, duke thënë se as nuk janë njoftuar paraprakisht për një vendim të tillë.

E nënkryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Shëndetësisë, Agron Kryeziu e ka parë me shumë shqetësim një vendim të tillë.

Ai ka thënë se me Ligjin e Pagave ndonëse u bë thirrje për rritje të pagës, ka ndodhur heqja e shujtave, rrezikshmëria, stazhi i punës, si dhe ulja e koeficientit e kthimi i mjeteve.

Ndërkohë, burime të Kanal 10 kanë njoftuar se në Klinikën e Gjinekologjisë, stafit të kësaj kategorie i janë ndalur menjëherë nga rroga 186 euro, e jo pjesë-pjesë.

Kanal 10 ka kërkuar sqarim edhe nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës për mungesën e njoftimit të stafit për tërheqjen e mjeteve, por nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërkaq nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se pakënaqësitë rreth normave të ligjit mund të bëhen vetëm me plotësim/ndryshimin e saj.

“Çështja e pagave është rregulluar me Ligjin e pagave dhe akteve nënligjore që derivojnë nga ky ligj. Sa i përket zbatimit të këtij Ligji, kompetent për adresimin dhe korrigjimin e gabimeve janë institucioni ku është i punësuar nëpunësi publik, DMZP/MPB dhe MFPT/Thesari. Institucionet e përmendura më lartë janë të obliguara ta zbatojnë ligjin në plotëni, por nëse ka pakënaqësi me normat e ligjit, atëherë vetëm me plotësim/ndryshim të Ligjit mund të evitohen pretendimet e ndryshme”, ka thënë ministria e shëndetësisë

Kanal 10 ka kërkuar përgjigje rreth këtij vendimi edhe nga Qeveria e Kosovës, por këta të fundit nuk kanë kthyer përgjigje.

Ligji i Pagave kishte ngritur reagime të shumta në Kosovë, si për nga niveli i koeficienteve, gjithashtu edhe për heqjen e shujtave e rrezikshmërisë.