Tahiri: Kjo Qeveri krijon shpenzime në kurriz të qytetarëve, do të bëjmë çmos ta rrëzojmë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka kritikuar mazhorancën për mungesën në seancën e jashtëzakonshme, ku pritej të diskutohej për furnizimin me tekste shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe të mesëm të ulët.

Shefi i deputetëve të kësaj partie, Abelard Tahiri, ka thënë në një konferencë për medie se sesioni vjeshtor është dashur të fillojë me diskutimin për tekstet shkollore.

Sipas tij, kjo nuk u bë me fajin e Vetëvendosjes.

“Besoj që nuk ka gjë më të arsyeshme sesa sot të hapej sesioni vjeshtor për një çështje e që e prek ardhmërinë e vendit tonë dhe që prek rreth 210 mijë nxënës. Pra janë e ardhmja jonë dhe ju po e shihni që tani e tutje nuk ka asnjë gjë të vetme që kjo legjislaturë të vazhdojë punën. Janë duke e degraduar punën në çdo rrafsh”, u shpreh Tahiri.

Deputeti i PDK-së, tha se do të këmbëngulin në rrëzimin e Qeverisë.

“Goditja e fundit është goditja që i dhanë arsimit, dhe ata nuk u turpëruan nga ne që nuk erdhën në seancë por u turpëruan nga prindërit e nxënësit sepse kjo ishte e tmerrshme atë që e dëgjuam në konferencë për medie. Ne do të bëjmë çmos që këtë legjislaturë ta dërgojmë në shtëpi sepse kjo legjislaturë krijon shpenzime në kurriz të qytetarëve dhe nuk bën asnjë punë të mirë”, ka thënë Tahiri.