Sulmet e NATO-s për çlirimin e Kosovës, ky është shteti që hodhi më së shumti bomba ndaj caqeve serbe

Kanë kaluar mbi 24 vjet nga fushata ajrore e NATO-s ndaj regjimit të Sllobodan Millosheviqit, forcat e të cilit po kryenin masakra e spastrim etnik në Kosovë.

Padyshim që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin lokomotiva e aleatëve që detyruan Beogradin të kapitullonte në qershor të vitit 1999 në Kumanovë.

Por, grafikoni që mund ta shihni më poshtë tregon në detaje se kush e kishte barrën kryesore të luftës 78-ditëshe ajrore ose të Operacionit Forcat Aleate ( Operation Alied Force).

Siç mund të shihni barrën kryesore të bombardimeve e kishin bartur Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke e mbuluar 61 për qind të fushatës ajrore të pasuara nga Franca me 8 për qind dhe Mbretëria e Bashkuar me 5 për qind.

Një kontribut të ngjashëm me britanikët sipas grafikonit e kanë dhënë edhe holandezët me kontribut prej 5 për qind të sulmeve ajrore. Pas tyre vijnë italianët me 4 për qind, Gjermania 3 për qind, Kanadaja 3 për qind, Belgjika 3 për qind, Danimarka 2 për qind dhe po ashtu edhe Turqia me 2 për qind.

NATO-ja njoftoi pezullimin e fushatës ajrore më 10 qershor 1999 pas Marrëveshjes Teknike Ushtarake me Republikën Federale të Jugosllavisë. Po atë ditë, Këshilli i Sigurimit të OKB-së nëpërmjet rezolutës 1244 mirëpriti pranimin nga Republika Federale e Jugosllavisë të parimeve për një zgjidhje politike, duke përfshirë një fund të menjëhershëm të dhunës dhe një tërheqje të shpejtë të forcave të saj ushtarake, policore dhe paraushtarake dhe vendosjen e një pranie efektive ndërkombëtare civile dhe të sigurisë. me pjesëmarrje të konsiderueshme të NATO-s.