BE: Zgjedhjet në veri të mbahen sa më shpejt, serbët të marrin pjesë

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano përsëriti edhe njëherë qëndrimin se zgjedhjet në veri të Kosovës duhet të mbahen sa më shpejt dhe paparakushte nga palët.

Zyrtari i lartë i BE u shpreh se zgjedhjet e prillit që u zhvilluan në këto komuna ishin brenda kornizës ligjore , por për fat të keq nuk ofruan zgjidhje.“Sa u përket zgjedhjeve, edhe pse zgjedhjet e pjesshme për kryetarë të komunave të mbajtura në prill 2023 në katër komunat e veriut të Kosovës u zhvilluan në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, ne kemi qenë shumë të qartë se për shkak të pjesëmarrjes shumë të ulët, ato nuk kanë ofruar një zgjidhje politike afatgjate. Prandaj, është e rëndësishme që zgjedhjet lokale gjithëpërfshirëse, ku serbët e Kosovës marrin pjesë pa parakushte, të organizohen sa më shpejt”, tha Stano.

Gjithashtu, Stano rikujtoi angazhimin që Kosova ka marrë në Bratisllavë për de-eskalimin e situatës, shkruan A2cnn.

“BE-ja nënvizon deklaratën e Përfaqësuesit së Lartë në emër të BE-së të datës 3 qershor 2023, e cila i kërkoi Kosovës dhe Serbisë që të marrin masa për të de-përshkallëzuar situatën dhe të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i pakoordinuar. Kosova u angazhua për këto parime në Bratislavë në korrik 2023”, përfundoi Stano.