Për 10 vjet, llapjani e lëshoi shtëpinë për shkollë, Komuna e Podujevës e la në gjendje të rëndë

Me 1 shtator e fillonte punën.

Por, të premten, arsimtari tani në pension, nuk u prit më në klasë nga zërat e shumtë të nxënësve.

Në shtëpinë private, Abdullah Blakçori, përplot një dekadë dha lëndën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.

Krejt kjo pasi me 13 dhjetor të vitit 1990, forcat serbe mbyllën me forcë shkollat shqipe në Podujevë.

“Atëbotë është mirëmbajtur mirë, edhe personali teknik e ka pastruar. Këtu kanë ardhur nxënësit dhe inventarit ka qenë i thjeshtë, shumë primitiv, nxënësit janë ulur në disa dërrasa më radhë, të cilat kanë qenë të vendosura mbi blloqe ndërtimi. Dhe Nebih Balaj, veprimtar i madh, na i ka siguruar neve mësimdhënëseve nga një ulëse dhe një tavolinë pune. 4:10 Ai mësim është quajtur bllok mësim, dmth mësimdhënësi dhe nxënësit nuk kanë pasur pushim për një orë të tërë” tregon ai.

E në këtë shtëpi-shkollë, Blakçori thotë se diplomuan disa gjenerata.

Me disa nga ish-nxënësit, thotë se ka kontakt të vazhdueshëm edhe sot.
“Është Vëllazërim Qerimi, që tani është në FSK. Po ashtu, Driton Hyseni, deputet në Parlamentin e Kosovës. Po të mos e harroj, Njazi Latifin, artist që e ka mbajtur jetën kulturore”, thotë Blakçori.

E shenjat se dikur ky objekt ishte i mbushur me të rinj shqiptar, gjenden akoma në muret e kësaj shtëpie.

Por, a i plotësoi kushtet kjo shtëpi private, që për dhjetë vjet, të shërbejë si shkollë?

“Është mbajtur mësimi në dy ndërrime, 4 paralele, kanë qenë para dreke dhe katër të tjera pas dreke. Këtu ka qenë një paralele, në anën e djathtë një tjetër, aty ku po qëndroni ju ka qenë një paralele tjetër. Kjo këtu, që pronari i shtëpisë e ka menduar për banjo, ne e kemi shndërruar në zyre të mësimdhënësve”, shprehet ish-profesori i Gjuhws Shqipe.

Por, ky objekt tanimë i harruar, nuk shërbeu vetëm si mësonjëtore gjatë okupimit serb.

Hyrja e saj në shumë raste u shndërrua në skenë për dhjetëra aktivitete gjatë viteve të 90-ta.

“Këtu është mbajt mësimi, referendumi, manifestime të llojllojshme, kombëtare e fetare. Manifestime për 7 shtatorin, 28 nëntorin, Ditën e Bajramit. Oborrin e kanë  mbushur deri në 3-4 mijë të pranishëm”, thotë Nebih Balaj, ish-veprimtar i çështjes kombëtare.

Por, pse ish-veprimtari i çështjes kombëtare, Nebih Balaj, e zgjodhi pikërisht këtë objekt si shtëpi-shkollë?

“Të vëllezërit Avdi dhe Fehmi Bekteshi, iu thashë po na duhet shtëpia për shkollë. Shtëpia është e madhe i ka klasë brenda, po ka qenë e përshtatshme edhe oborri që e ka, është në mes të qytetit, nuk ka pas rrugë kaluese, nxënësit kanë pas mundësi me depërtuar prej të gjitha anëve në rast rreziku”, tregon Balaj.

E në mënyrë vullnetare, shtëpinë për shkollë atëbotë, e lëshoi Avdi Bekteshi.

Llapjani thotë se dita më e lumtur e jetës, ishte kur i pa nxënësit në oborrin e tij.

“Tu qajtë kam ardhur, kurrë se harroj atë ditë, ua çela derën diqysh edhe veç kam qajtë”, tha Bekteshi.

E 24 vjet pasi kjo shtëpi përfundoi misionin si shkollë, u la në këtë gjendje nga pushteti lokal në Podujevë.

Këta të fundit në një përgjigje për Tëvë1, kanë thënë se shtëpitë-shkolla në Podujevë, do të restaurohen pasi të përfundojë restaurimi i objekteve që janë nën mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.