Zgjedhjet përmes peticionit nuk shihen si zgjidhje për veriun

30 ditë punuan në këtë Udhëzim Administrativ me synim të krijimit të rrethanave për shkuarje në zgjedhje të parakohshme në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit.

Ky dokument me pak faqe, flet për mënyrën se si duhet të shkohet në zgjedhje të reja përmes iniciativave të qytetarëve.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka paraparë që kjo të ndodhë me anë të organizimit të peticionit me pjesëmarrje të 20 për qind të qytetarëve që jetojnë në komunën e caktuar.

Në të thuhet se pas vendosjes së një personi përgjegjës për monitorim të gjithë procesit, 30 ditë ka kohë KQZ-ja për organizimin e peticionit.

Në rast se peticioni dështon për pjesëmarrjes së pamjaftueshme të votuesve, atëherë iniciativës qytetare i jepen edhe 10 ditë kohë për ta plotësuar kërkesën.

I gjithë ky udhëzim administrativ, për Eugen Cakollin nga KDI, është shkelje ligjore.

Madje, Cakolli thotë se bashkësia ndërkombëtare do të dalë kundër udhëzimit edhe për arsyen se me të nuk mund të ketë zgjedhje të reja në veri brenda këtij viti.

Por, me të po pajtohet kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.

Ai po heziton të jap dorëheqje dhe largimi nga pozita që e mban duhet të bëhet siç thotë ai: vetëm sipas peticionit.

Nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, nuk kanë dashur që të flasin më shumë për këtë temë.

Derisa, dilema se si të shkohet në zgjedhje të reja në katër komunat veriore, ka përplasur edhe publikisht akterët ndërkombëtarë me ata vendor.

Të parët po kërkojnë dorëheqje të kryetarëve, derisa nga qeveria po deklarohen se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë.

Deri në zgjidhjen e kësaj dileme, Lulëzim Hetimi po vazhdon të qëndrojë brenda objektit komunal në Leposaviq, ndërsa Izmir Zeqiri dhe Lulzim Peci, punën po e kryejnë në objekte alternative./teve1