Prindërit në Kçiq të Mitrovicës përmes protestës kërkojnë dorëheqjen e drejtoreshës së DKA-së

Jo në të gjitha shkollat e vendit sot pati mësim. Një prej tyre është edhe ajo në fshatin Kçiq të Mitrovicës. Banorët e fshatit kërkuan dorëheqjen e drejtoreshës komunale të Arsimit. Shkak sipas banorëve, janë kushtet e këqija në këtë shkollë.

Nxënësit e shkollës "Bislim Imeri" në fshatin Kçiq të Mitrovicës nuk e filluan procesin mësimor. 1 shtator i gjeti të mbyllura dyert e kësaj shkolle. E në vend të zërave të fëmijëve, në oborrin e shkollës u dëgjuan thirrje të prindërve.

Dhjetëra banorë të këtij fshati u mblodhën para kësaj shkolle, duke kërkuar dorëheqjen e drejtoreshës komunale të Arsimit, Drita Kadriu. Ata po kërkojnë kushte më të mira në shkollë, për fëmijët e tyre.

Drejtoresha e kësaj shkolle, Ardita Idrizi, përmes telefonit i tha RTK-së se rinovimi i disa hapësirave në shkollë nuk ka përfunduar dhe se mësimi pritet të fillojë të hënën.

RTK ka kërkuar edhe një përgjigje nga Drejtoria e Arsimit në Mitrovicë, mirëpo nga e njëjta nuk janë përgjigjur gjatë ditës.