Maqedoni, viti shkollor nis pa tekste mësimore

Sot në Maqedoninë e Veriut filloi viti i ri shkollor për mbi 200 mijë nxënës të shkollave fillore, nëntëvjeçare dhe të mesme. Në klasë të parë janë regjistruar rreth 20 mijë nxënës. Njësoj si edhe në vitet e mëparshme, një numër nxënësish përballen me mungesën e teksteve shkollore, të cilat Ministria e Arsimit e ka për detyrë t’ua sigurojë atyre falas.

Risi në këtë vit shkollor do të jetë pushimi pranveror nga 29 prilli deri më 5 maj, ndërsa procesi i mësimit do të përfundojë më 17 qershor, në vend të 10 qershorit, siç ka qenë deri më tani. Ndërkohë, numri i nxënësve të regjistruar në klasë të parë po vjen duke rënë, si rezultat i shtimit të migrimit të familjeve drejt shteteve të Evropës Perëndimore.

Ministria thotë se mungojnë librat për klasën e tretë dhe të gjashtë, por se ato do të jenë të disponueshme së shpejti.

Në këtë ditë që konsiderohet si festive sidomos për më të vegjëlit, të cilët për herë të parë shkojnë në shkollë, nuk kanë munguar reagimet dhe akuzat politike.

Opozita maqedonase e quan diskrimin mungesën e librave dhe materialeve të tjera mësimore, teksa thekson nevojën e reformave urgjente në arsim.

Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri thotë se nuk është faji i Ministrisë për vonesën e furnizimit të shkollave me libra dhe se shtëpitë botuese po punojnë për zgjidhjen e shpejtë të problemit.

Qeveria, ndërkaq ka marrë vendim për hapjen e një klase në gjuhën shqipe në një shkollë të mesme në qytetin e Velesit, por autoritetet e shkollës dhe ato komunale janë shprehur se nuk ekzistojnë kushte për këtë. Në rast se komuna nuk do t’i bindet urdhërit, Ministria e Arsimit e ka të drejtën e heqjes së kompetencave të komunës për sa i takon çështjeve të arsimit dhe në atë rast klasa shqipe do të duhej patjetër të fillojë mësimin./VOAb