Subvencionimi i kopshteve, Krasniqi: Do të bëjmë përpjekje që kjo formë të aplikohet edhe në komunat tjera

Nga Komuna e Prishtinës sot u bë e ditur se familjet e kësa komune që kanë fëmijë nga 9 muaj deri në 6 vjeç dhe që i regjistrojnë fëmijët në çerdhe do të subvencionohen me nga 70 euro nëse të hyrat mujore të tyre janë nën 500 euro.

Këtë vendim e ka quajtur një lajm tejet të mirë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili ka thënë se në këtë kohë të “keqmenaxhimit” të sektorit të arsimit ky vendim lehtëson barrën e prindërve, raporton Zeri.info.

“Ky është vizioni ynë për të ndihmuar familjet kosovare në edukimin e hershëm të fëmijëve. Përmes kësaj politike, do të rritet përfshirja e fëmijëve në çerdhe dhe edukim të hershëm, do të shtohet pjesëmarrja e grave në tregun e punës, si dhe do të lehtësohet barra financiare për shumë familje të kryeqytetit”, shkroi ai ndër tjera.

Ai u zotua se partia e tij do të punojë që kjo formë e subvensionimit të ndodh edhe në qytetet e tjera.

“Prishtina, me angazhimin tonë, nuk do të mbetet qyteti i vetëm i cili përfiton nga kjo politikë mbështetëse dhe lehtësuese për familjet kosovare. Në të ardhmen, do të bëjmë përpjekje maksimale që kjo formë të aplikohet edhe në të gjitha komunat e tjera të Kosovës”, theksoi ai. /Zëri