Kurti uron vitin e ri shkollor, krenohet me të arriturat në arsim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një urim të veçantë për fillimin e vitit të ri shkollor për të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit.

Në mesazhin e tij, ai ka theksuar rëndësinë e këtij momenti, veçanërisht për nxënësit e rinj që për herë të parë ulen në bankat e shkollës.

“Në veçanti, uroj të gjithë nxënësit që për herë të parë ulen në bankat shkollore. Për ta sot fillon një rrugëtim i ri, i cili do të përcaktojë të ardhmen e tyre por edhe të shtetit të Kosovës”, ka shkruar Kurti në rrjetin social, Facebook.

Kurti ka shprehur bindjen se kjo periudhë e re do të jetë një rrugëtim i rëndësishëm për të ardhmen e nxënësve dhe për të ardhmen e Kosovës.

Ai ka përmendur vendimin e ri të Ministrisë së Arsimit për të siguruar tekstet shkollore dhe materiale të nevojshme shkollore me anë të prindërve.

“Për të përmbushur obligimin tonë për të siguruar tekstet shkollore, këtë vit kemi zgjedhur një rrugë të re. Po ashtu, si asnjë vit më parë, përveç teksteve shkollore po ndajmë edhe mjete shtesë për materiale shkollore të nevojshme për nxënësit tanë”, ka shkruar tutje ai.

Kurti ka bërë një prezantim të hollësishëm të vendimeve të Qeverisë, që sipas tij kanë përmirësuar arsimin në vend.

Ai përmendur zgjerimin e arsimit dual në disa profile të ndryshme, ndihmën për lidhjen mes arsimit dhe ekonomisë, si dhe investimet në edukimin e fëmijëve të moshës së hershme.

“Ndërkohë që kemi miratuar Ligjin për Edukim në Fëmijërinë e Hershme, kemi finalizuar kurrikulën për edukim në fëmijërinë e hershme dhe jemi duke investuar në rritjen e përfshirjes së fëmijëve në këtë nivel të edukimit”, ka shkruar ndër të tjera Kurti.

Kurti ka përfunduar mesazhin e tij me një ftesë për përpjekje dhe përkushtim për të arritur një arsim cilësor që do të ndihmojë të rininë të zhvillojë potencialin e saj dhe të realizojë ëndrrat dhe synimet e tyre.