Arrestohet një 38-vjeçar në Prishtinë, në shtëpinë e tij u gjetën barna të kontrabanduara

Një person është arrestuar nga Policia pasi që i njëjti dyshohet se ka shitur barna pa banderola të Republikës së Kosovës, bën të ditur Policia e Kosovës.

Sipas njoftimit të Policisë thuhet se ngjarja ka ndodhur gjatë së djeshme në një lokacion/shtëpi, afër me një barnatore, ku edhe është pronë e të dyshuarit Sh. I.

“Me datën 31.08.2023, në konsultim dhe urdhër verbal nga prokurori kujdestar, është bërë inspektim/kontroll i barnatores dhe lokacionit të potencuar. Gjatë kontrollit është hasur një sasi barnash (lloje të ndryshme) pa banderola të Republikës së Kosovës, të cilat dyshohet se në vendin tonë kanë hyrë në formë të kontrabanduar andaj të njëjtat janë evidentuar në procesverbalet e Inspektoratit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe janë konfiskuar në bazë të procedurave të tyre të punës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Po ashtu sipas njoftimit thuhet se mbi bazën e këtyre veprimeve është krijuar dyshimi se i dyshuari Sh .I., (1985), mashkull kosovar, dyshohet se ka kryer veprën penale ‘prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’ nga neni 260 i KPRK-së.

“Sot, më datë 01.09.2023 , i dyshuari i lartcekur në cilësi të personit të dyshuar, është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe njëkohësisht është bërë edhe verifikimi i së kaluarës kriminale për të dyshuarin ku rezulton se i njëjti në muajin mars 2023 kishte qenë i përfshirë në një rast të njëjtë, për vepër të njëjtë penale”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndërsa me vendim të prokuror kujdestar personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë. /Zëri