Gjyqi i Trump do të transmetohet ‘live’ në televizion dhe platformat online

Një gjyqtar në Shtetet e Bashkuara ka vendosur që procedimi gjyqësor ndaj ish-presidentit Donald Trump dhe të pandehurve të tjerë në çështjen e manipulimit zgjedhor në shtetin e Xhorxhias të shfaqet në televizion.

Procesi do të transmetohet gjithashtu ‘live’ në faqen e internetit YouTube, ka vendosur gjyqtari i Gjykatës së kontesë Fullton, Scott McAfee.

Trumpi është mes 19 personave që akuzohen për komplot me qëllim përmbysjen e rezultatit zgjedhor të 2020-s.

Më herët, ai u vetëdeklarua i pafajshëm dhe hoqi dorë nga e drejta për t’u paraqitur në sallën e gjyqit javën e ardhshme.

Javën e kaluar, Trumpi u vetëdorëzua në burgun e kontesë Fullton në Atlanta, ku bëri dhe foton sinjalistike.

Ai i ka mohuar vazhdimisht akuzat dhe pretendon se procesi është i motivuar politikisht.

Në total, ish-kreu i shtetit përballet me 13 akuza, përfshirë atë të shantazhit, për ushtrimin e presionit ndaj zyrtarëve të Xhorxhias që të përmbysnin rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në këtë shtet.

Në një dokument gjykate të dorëzuar të enjten, Trumpi tha se “e kuptonte tërësisht” natyrën e procesit dhe të drejtën e tij për t’u paraqitur në gjykatë.

“Në bazë të të drejtave të mija, zgjedh me vullnetin tim të heq dorë nga e drejta për të qenë i pranishëm në gjykatë”, thuhet në dokumentin e firmosur.

Ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë, aktualisht kryesues i kandidatëve republikanë që synojnë nominimin për zgjedhjet e 2024-s, ka qenë i pranishëm në secilën nga 3 seancat e mëparshme, ku iu komunikuan akuzat. /euronews