Gjyqtari në Amerikë për trajnim, dështon të mbahet gjykimi për shpëlaje parash

Për shkak se kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Lutfi Shala gjendet në Amerikë për trajnim, ka dështuar të mbahet seanca e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin për shpërlarje parash dhe vepra tjera.

Një gjë e tillë është konfirmuar nga zyra e gjykatësit Shala.

Në këtë rast, Velizar Marusic bashkë me Marjan Komanin, Atnan Qovanajn dhe Rexhep Kryeziun, po ngarkohen për disa vepra penale, përfshirë “Pastrim i parave”, “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Hyrje në sistemet kompjuterike”, “Lëshim i çeçeve pa mbulesë ose të rreme” dhe “Keqpërdorim i kartelave të bankës apo kreditit në tentativë”, për të cilat vepra nuk e kanë pranuar fajësinë.

Ndryshe, deri tek anulimi i seancës ka ardhur si pasojë e një trajnimi mbi praktikat e SHBA-së për menaxhim efektiv të rasteve dhe gjykimeve, i cili po mbahet në Amerikë, në të cilin janë duke marrë pjesë përveç gjyqtarit Shala, edhe gjyqtarët e tjerë të Departamentit Special.

Seanca e radhës për këtë rast ende nuk është caktuar.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 3 shkurt 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj Marjan Komanit, Atnan Qovanajt, Rexhep Kryeziut dhe Velizar Marusic, për shkak të veprave penale “Pastrim parave”, “Pjesëmarrja dhe organizim i grupit kriminal të organizuar”, “Hyrje në sistemet kompjuterike”, “Lëshim i çeçeve pa mbulesë ose të rreme” dhe “Keqpërdorim i kartelave të bankës apo kreditit në tentativë”.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit Komani, Qovanaj dhe Kryeziu, në bashkëkryerje me njëri-tjetrin në periudhë kohore nga tetori i viti 2017 e deri në tetor të vitit 2019, duke vepruar si pjesë e grupit të organizuar kriminal, si bashkim i strukturuar, me dashje dhe me dijeni, e me qëllim që ky grup të kryejë vepra penale që janë të dënueshme me burgim, së paku katër vjet, aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtarinë kriminale të grupit, duke e ditur se pjesëmarrja e tyre do të kontribuojë në realizimin e dobisë pasurore të kundërligjshme.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Komani, Qovanaj dhe Kryeziu, me qëllim që vetes apo personit tjetër t’i mundësojnë përfitime financiare të kundërligjshme, duke vepruar në kundërshtim me rregullat e sistemit bankar, kanë transferuar shuma të larta të parave në shtete të ndryshme, respektivisht të njëjtit gjatë periudhës 15 janar 2018 e deri më 25 korrik 2018 kanë realizuar gjashtë transaksione në vlerë mbi 300 mijë euro.

Tutje, në aktakuzë thuhet se të akuzuarit Komani, Qovanaj, Kryeziu dhe Marusic, nga koha e papërcaktuar e deri në muajin maj të vitit 2019, duke vepruar si grup i organizuar kriminal me dashje dhe me dijeni dhe me qëllim që vetes t’i sjellin dobi të kundërligjshme pasurore, pasi që kishin arritur të sigurojnë draftin bankar në vlerë prej 7 milionë euro, i cili figuron si i lëshuar nga banak HSBC në Londër, me datë 7 nëntor 2017, kishin tentuar që në bankën NLB t’i konvertojnë në para.

Në aktakuzës thuhet se të akuzuarit Qovanaj dhe Komani kishin komunikuar dhe shkëmbyer foto të çeçeve dhe drafteve bankare të bankës HSBC në vlerë prej 12 milionë euro, çeçe bankare të SHBA-së në vlerë prej 100 milionë dollarësh, si dhe thuhet se të njëjtit kanë në posedim çekun në vlerë 7 milionë euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të njëjtit kishin lëshuar çeçe dhe drafte bankare në emër të institucioneve bankare, për të cilat thuhet se kishin qenë të falsifikuara, si dhe siç thuhet të njëjtit kishin për qëllim t’i konvertojnë në sistemet bankare në Kosovë dhe të njëjtat para t’i fusin në biznes ndërtimor në Kosovë dhe jashtë saj, saktësisht në Mal të Zi.

Siç thuhet në aktakuzë, të akuzuarit Komani dhe Qovanaj më 25 korrik 2018, duke vepruar me dashje dhe me dijeni dhe me qëllim që të realizimit të transaksioneve të kundërligjshme kishin përdorur pasaportën e falsifikuar të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës në emër të të akuzuarit Komani.

Kjo, bazuar në aktakuzë, me qëllim të rezervimit të hotelit në Ishujt Maldive, e për të cilin rezervim thuhet se ishin realizuar tri transfere të kundërligjshme dhe atë në vlerë prej 171 mijë euro, 46 mijë euro dhe transaksioni i tretë në vlerë mbi 42 mijë euro, për të cilat thuhet se janë bërë me qëllim për të humbur gjurmët lidhur me personin në emër të së cilit është bërë rezervimi.

Tutje, sipas aktakuzës të akuzuarit Komani dhe Qovanaj nga muaji janar e deri në muajin korrik të vitit 2018 me qëllim të transferimit apo fshehjes ose maskimit të natyrës, burimit, vendit, lëvizjes së pasurisë kishin kryer transfere parash, ashtu që të njëjtit kishin kryer pagesa “OF Line” pa kod të autorizimit, në SHBA në vlerë prej 30 mijë euro.

Sipas aktakuzës, transaksioni në fjalë thuhet se ishte bërë përmes Ëells Fargo Bank, si dhe një transfer tjetër më 13 mars 2018 në vlerë mbi 71 mijë euro në kryeqytetin e Skocisë në Edinburg, si dhe me datën 5 maj 2018 të njëjtit kishin bërë tri transfere bankare në vlera prej 171 mijë euro, 42 mijë euro dhe mbi 42 mijë euro në Ishujt Malidve.

Siç thuhet në aktakuzë, këto transfere ishin bërë në emër “rezervim i hotelit”, duke përdorur si dokument identifikues pasaportën në emër të të akuzuarit Komani, dhe siç thuhet të gjitha transaksionet ishin bërë nga llogaria në NLB bank për në SHBA, Skoci dhe Ishujt Malidve, duke e ditur që në llogarinë e njëjtë nuk posedojnë asnjë para, por siç thuhet këto veprime të akuzuarit i kishin kryer duke shfrytëzuar aftësitë e tyre në IT.

Me këto veprime, të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprat penale “Pastrim i parave”, “Pjesëmarrje dhe organizim i grupit kriminal të organizuar”, “Hyrje në sistemet kompjuterike”, “Lëshim i çeçeve pa mbulesë ose të rreme” dhe “Keqpërdorim i kartelave të bankës apo kreditit në tentativë”. /BetimipërDrejtësi