Kontracepsioni dhe aktiviteti seksual pas lindjes

Pas lindjes sigurisht që organizmit i duhet kohë për t’u kthyer në ritmin e gjendjen normale, mirëpo sa kohë i duhet dhe cilat janë proceset që aktivizohen në aspektin hormonal dhe mundësia e ngeljes shtatzënë pas lindjes do t’ju tregojmë në vazhdim të këtij shkrimi.

Gjashtë javë pas lindjes 15% të grave që nuk janë gjidhënëse fillojnë të kenë ovulacion, nga kjo del që çdo e pesta - dhjeta grua do të ketë mundësi të ngelë përsëri shtatzënë në atë kohë.

Duke u nisur nga fakti që shumë gra fillojnë aktivitetin seksual edhe para vizitës së paraparë, pas javës së gjashtë pas lindjes edhe këshillimi mund të jetë i vonshëm.

Ndikimi kultural, gjendja psikike dhe fizike e gruas janë vendimmarrëse për rifillimin e aktivitetit seksual pas lindjes. Duhet të kemi parasysh shërimin e plagëve të lindjes, Episiotomia, plaga e lindjes me prerje cezariane, rrjedhja vaginale pas lindjes, si dhe gjendja hormonale e lehonës, të cilat kanë ndikim në këtë. Realisht mund të fillohet 2-3 javë pas lindjes me aktivitet seksual, edhe pse shumica e literaturave e rekomandojnë pas përfundimit të kohës së lehonisë. Duhet të dimë që gjatë shtatzënisë me kalimin e javëve gestative për shkak të disa arsyeve siç janë gjendja hormonale, ndryshimin i përmasave trupore, kufizimi i lëvizjes së shtatzënës, frika e kërcënimit të shtatzënisë etj., shkon duke rënë dëshira seksuale, që edhe njashtu gradualisht pas lindjes shkon duke u rritur dhe arrin normalen si para shtatzënisë, diku rreth 12 javë pas lindjes.

Gjidhënia

Te gratë 4-5 javë pas lindjes nuk ka ovulacion dhe menstruacion, pavarësisht a janë duke e ushqyer fëmijën me qumësht gjiri ose jo, në tri javët e para e kemi të bëjmë me infertilitet fiziologjik, Ovaret dhe Hipofiza nuk reagojnë për shkak të Prolaktines së rritur, d.m.th. kemi të bëjmë me Amenorrhea e Laktacionit. Nga vetë fakti që lirohet Prolaktina (hormoni i qumështit) nuk lirohen hormonet e tjera, siç janë LH, FSH, Estrogjen etj., që do të thotë se edhe organizmi i gruas akoma nuk është stabilizuar siç ka qenë para shtatzënisë dhe me të edhe aktivitetet normale siç janë cikli menstrual ose aktiviteti seksual nuk i janë kthyer gjendjes paraprake.

Gjidhënia si kontracepsion bëhet më e sigurt nëse:

  • Ushqejmë ekskluzivisht me qumësht gjiri
  • Kemi mungesë të menstruacionit (Amenorrhea)
  • Ushqyerje të shpeshtë së paku 5 herë në ditë
  • Ushqyerje më të gjatë se 10 minuta çdoherë

Riskun për shtatzëni gjatë gjidhënies sipas studimeve e llogarisin 2% nëse kemi mungesë të plotë të menstruacionit, po ashtu edhe fillimi i paraqitjes së menstruacionit tregon që gjasat për shtatzëni janë të rritura.

Metoda shtesë kontracepsioni gjatë gjidhënies nevojiten:

  • Nëse nuk është ushqyerja ekskluzivisht me qumësht gjiri
  • Ushqyerja me qumësht gjiri është pas muajit të gjashtë pas lindjes
  • Nëse nuk kemi mungesë të menstruacionit.

Një tjetër element me rëndësi të ceket është që gratë që menjëherë pas lindjes nuk ushqejnë të porsalindurin me qumësht gjiri duhet të fillojnë kontracepsionin menjëherë, sepse aty nuk kemi asnjë faktor mbrojtës ndaj shtatzënisë.

Këto ishin disa informata të rëndësishme, të cilat si çdoherë tjetër duhet t’i diskutoni bashkë me mjekun tuaj, në mënyrë që të gjeni formën e kontracepsionit më adekuate për ju, duke kalkuluar edhe kundërindikacionet individuale.

. Aulona Lulaj-Salihu, specialiste e Gjinekologjisë me Obstetrikë