Përparësitë dhe rreziqet e biçikletave elektrike
Bateritë me litium, që përdoren në biçikletat elektrike, janë kthyer në një shqetësim sigurie për shoqërinë amerikane.
Problemi më i madh është mbizotërimi në treg i baterive të lira, prodhime kineze të dorës së dytë, që nuk janë në përputhje me disa standarde sigurie.
Në qytetin e Nju Jorkut, vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti, 13 persona kanë humbur jetën si pasojë e zjarreve të shkaktuara nga bateritë me litium.Luiz Perez lëviz rrugëve dhe trotuareve të Manhatanit me një biçikletë elektrike, e cila operon me një bateri me litium.
Shpejtësia e biçikletës e bën atë shumë më produktiv dhe meqë ajo punon me bateri, ai mund të lëvizë gjithë ditën pa u lodhur.
“Unë punoj nga ora 6 e mëngjesit deri në orën 10:30 të natës. Pothuajse 14 deri 15 orë”, thotë zoti Perez.
Ai është në mesin e 65 mijë përdoruesve të biçikletave elektrike që qarkullojnë në qytetin e Nju Jorkut, një shifër që po vazhdon të rritet.
Shumica jetojnë duke punuar si shpërndarës ushqimesh për kompani si GrubHub, Uber Eats dhe Seamless.
Vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti, në departamentin e zjarrfikësve të qytetit janë raportuar më shumë se 100 raste të zjarreve të shkaktuara nga bateritë me litium.
13 persona kanë humbur jetën, më shumë se dyfishi i viktimave të regjistruara vitin e kaluar.
Kamerat e sigurisë kanë filmuar shumë prej këtyre rasteve.
Komisionerja e Zjarrfikësve të qytetit të Nju Jorkut, Laura Kavanagh po ngre zërin për këtë çështje.
“Janë aq të fuqishme, saqë kur marrin flakë, me të vërtetë mund të shpërthejnë. Ne shpesh mendojmë se sinjali i një alarmi tymi na jep kohë të mjaftueshme për t’u larguar. Por, e vërteta është se nuk ka kohë për t’u larguar nëse një bateri e tillë shpërthen në korridorin tuaj”, thotë zonja Kavanagh.
Ajo pritet t’i ngrejë shqetësimet para Komisionit për Sigurinë e Produkteve në Kongresin amerikan.
“Ky komision ka disa kompetenca të veçanta për parandalimin e asaj që unë do ta quaja prodhimi jo i duhur i këtyre biçikletave të rrezikshme. Ata mund t’i konfiskojnë ato në porte. Mund të ndalojnë shitjen e tyre në internet. Por më e rëndësishmja, ata mund të vendosin standarde për çdo pajisje”, thotë ajo.
Duke filluar nga shtatori, në qytetin e Nju jorkut, shitësit e biçikletave elektrike duhet t’i certifikojnë ato nga një kompani e pavarur e vlerësimit të sigurisë.
“Ne e dimë se programet e testimit dhe certifikimit mund të funksionojnë. Pra, pse të ndalohet një pajisje shumë e dobishme dhe një mënyrë transporti”, thotë Robert Slone nga kompania “UL Solutions”.
Zoti Slone bën thirrje që palët e përfshira të kenë parasysh përparësitë e këtyre mjeteve të transportit, në veçanti për mjedisin./VOA