Çfarë është meningjiti, infeksioni i rrezikshëm në Kosovë që prek kryesisht të rinjtë?

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka njoftuar se rastet me meningjit janë në rritje.

Bazuar në raportin e SHSKUK-së, numri i rasteve të raportuara për Sindromën meningjeale gjatë muajit korrik-gusht, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ka shënuar rritje.

Meningjiti mund të prekë këdo që bie në kontakt me agjensin, por disa grup-mosha janë më të rrezikuara. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, meningjiti prek më së shumti moshat e reja ngaqë sistemi imunitar te personat e rinj, kryesisht foshnjat, fëmijët dhe adoleshentët nuk është zhvilluar mjaftueshëm për të luftuar agjensët.

Shkaktar i sindromës meningjeale janë infeksionet bakteriale ose virale. Ndërsa, si rrugë e përhapjes së infeksionit mund të jenë pishinat, vendet e freskimit, kontakti dhe uji për pije.

Disa nga simptomat e sëmundjes janë të ngjashme me ato të një gripi normal, por që rëndohen për një kohë shumë të shkurtër. Meningjiti mund të shfaqet menjëherë ose 3-7 ditë pas marrjes së infeksionit.

Te simptomat e sëmundjes përfshihen: të vjella, marramendje, temperaturë e lartë e trupit, dhimbje e muskujve, ndjeshmëri ndaj dritës, dhimbje e kokës, konfuzion, gjymtyrë të ftohta, skuqje e lëkurës.

Ndërsa te fëmijët mund të ketë edhe simptoma si frymëmarrja e shpejtuar, irritim dhe të qara për një kohë të gjatë, humbje të përqendrimit dhe mungesë oreksi.

Sapo të vëreni simptomat e mësipërme ose gjendje të rënduar shëndetësore, duhet menjëherë të konsultoheni te mjeku.

Meningjiti trajtohet vetëm në spital.