Vdiq mjeku dhe profesori universitar Ilir Begolli
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se dje ka vdekur prof.dr. Ilir Begolli, profesor shumë vjeçar i Mjekësisë sociale në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës dhe specialist i shëndetësisë publike në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Ndër tjera thuhet se Begolli, studimet bazike i kishte përfunduar në vitin 1978 në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Kosovës; Specializimin në Mjekësi Sociale në vitin 1982; në vitin 2001 ka përfunduar magjistraturën në fushën e Shëndetësisë publike; ndërsa në vitin 2009 doktoraturën po ashtu, në fushën e shëndetësisë publike.
“Gjatë karrierës së tij të pasur akademike dhe profesionale, përveç angazhimit në procesin edukativ dhe arsimor, dr. Ilir Begolli ishte hartues dhe pjesëmarrës i drejtpërdrejt në krijimin e dokumenteve dhe strategjive zhvillimore të sistemit shëndetësor në Kosovë; duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm përmes angazhmit të tij profesional si mësimëdhënës dhe si ekspert në lëminë e shëndetësisë publike, për çka do të jetë i vlerësuar gjithmonë nga niveli akademik, kolegët, studentët, qytetarët dhe gjeneratat e ardhshme në Kosovë”, thuhet në njoftim.
IKSHPK-ja në nderim të jetës e veprës së dr.Begollit do të mbahet mbledhje komemorative për të nderuar veprën dhe jetën e tij. /Zëri