Çka është Endometrioza?
Endometrioza është prezenca e indit endometrial jashtë kavitetit të mitrës.
Endometri është shtresa që gjendet në brendi të mitrës, që ndikohet nga hormonet dhe që ka për funksion të jetë shtrati ku vendoset shtatzënia, në qoftë se nuk vjen deri te shtatzënia, atëherë Endometri del nga brendia e mitrës çdo muaj si gjakderdhje menstruale.
I pari që e ka përshkruar këtë sëmundje ka qene Rokitansky në vitin 1860.
Ka dy teori që e përshkruajnë arsyen e paraqitjes së Endometriozes
Teoria e transplantimit, sipas Sampsonit, (1940) që thotë që gjatë gjakderdhjes menstruale mendohet që kemi refluks ose kthim mbrapa dhe gjaku kalon nëpër tuba bashkë me qeliza endometriale dhe kështu arrin në hapësirë të barkut dhe kështu të ngjitet dhe të zhvillohet në organet jashtë hapësirës së mitrës, gjegjësisht në hapësirë të barkut dhe,
Teoria e Metaplasisë, sipas Meyerit (1919), që thotë se qelizat pluripotente të epitelit zelomik, d.m.th. qelizat që kanë aftësi të shndërrohen në qeliza të ndryshe, varësisht nga ndikimi që bëhet në to, në këtë rast si pasojë e ndikimit hormonal shndërrohen në qeliza Endometriale.
Për t’i ikur pak shkencës së thatë, të vazhdojmë duke jua dhënë disa informata më praktike për Endometriozen.
Edometrioza është e njohur si sëmundje që ka varshmëri të drejtpërdrejt nga Estrogjeni dhe tajimi i tij, andaj është më tepër i shprehur te gratë e moshës fertile dhe shuarja e paraqitjes së kësaj sëmundjeje është me kalimin në fazën jofertile, ose Klimaterium të një femre.
Endometrioza për nga vendparaqitja mund të jetë
Endometrioza gjenitale interne ose paraqitje e saj në thellësi të murit të mitrës, që ndryshe edhe quhet Adenomioza.
Endometrioza gjentiale externe ose paraqitja e vartrave të Endometriozes në Tuba (që shkakton infertilitet/ sterilitet) në vezore, që njihen si Cista Endometriotike ose Cista Çokollade, në muret e jashtme të mitrës, në Peritoneum etj.
Endometrioza extragjentiale, që nënkupton paraqitjen e ndryshimeve endometriotike jashtë organeve gjinore, që nënkupton paraqitja e saj kudo jashtë pelvikut të vogël etj.
Kjo ndarje nuk është dhe aq praktike për arsye se mund të paraqitet në shumë vende të ndryshme në të njëjtën kohë, andaj është më mirë ta klasifikojmë paraqitjen e këtyre ndryshimeve sipas kritereve të tjera që na bëjnë më të lehtë edhe krahasimin dhe klasifikimin e pacienteve në grupe. Në këtë raste ka rëndësi ngjyra e ndryshimeve, madhësia, koha e paraqitjes, ngjitjet dhe dëmtimet që ka krijuar në organizëm.
Shenjat klinike
Si shenjë klinike ose ankesë kryesore e pacientes është Dysmenorrhea ose dhembjet para dhe gjatë ciklit menstrual, të cilat karakterizohen të jenë të intensitetit më të lartë sesa dhembjet e zakonshme të menstruacioneve, si dhe karakteristikë tjetër është dhembja në fund të barkut, që është më tepër e shprehur në pjesën e dytë të ciklit menstrual dhe gjatë menstruacionit, duke u qetësuar, pastaj pas menstruacionit dhe pjesës së parë të ciklit.
Varësisht nga lokalizimi dhe shtrirja e Endometriozes, ashtu do të jenë edhe shenjat klinike, për shembull, nëse e kemi të bëjmë me Endometrioze gjentiale interne (adenomioza), kemi gjakderdhje menstruale më shumë dhe më të gjatë dhe dhembjet në fund të barkut janë me gjatë sesa ato të lartcekurat. Ose nëse kemi varta endometriotike të mëdha dhe jashtëgjenitale, mund pacientja të ketë dhembje të mëdha gjatë marrëdhënieve seksuale (Dyspareunie), që në rastet specifike mund të jenë edhe të padurueshme. Në 30-40% të pacienteve nuk kemi fare shenja klinike, sëmundja e Endometriozes zbulohet rastësisht duke e hulumtuar pacienten për shkak të sterilitetit ose pamundësisë për të ngelur shtatzënë.
Diagnostikimi i sëmundjes
Gjate ekzaminimit gjinekologjik mund të vërehen vatra të Endometriozes, veç nëse paraqiten në Cervix ose qafë të mitrës, në muret e vaginës. Përndryshe, nuk është aq i favorshëm, përjashtuar rastet e ndryshimeve të mëdha si cista të mëdha dhe mundësinë e origjinës së dhembjes gjatë ekzaminimit gjinekologjik bimanual (me duar).
Pastaj ultrazëri mund të na ndihmojë në rastet kur kemi masa të dukshme në vezore ose në muret e mitrës.
Imazheritë e tjera si MRI-ja nuk janë primare në diagnostikimin e kësaj sëmundjeje.
Standardi i artë dhe diagnozë të sigurt kemi me anë të Laparaskopisë, ku mund të lokalizojmë dhe vlerësojmë saktë sëmundjen edhe duke marre mostër për analizë histopatologjike.
Sigurisht është mirë të ceket që Endometrioza si sëmundje nuk ka akoma serum marker ose analizë gjaku specifike për diagnostikim.
Trajtimi
Kemi trajtim kirurgjik dhe medikamentoz
Trajtimi varet edhe nga vendlokalizimi.
Për shembull, te Cistat Endometriotike të Ovareve preferohet të largohen në mënyrë kirurgjike, ose nëse kemi vatra të lokalizuara mund t’i largojmë kirurgjikisht.
Ndërsa terapia nënkupton terapi hormonale, si kontraceptiv, trajtim me depo preparate hormonale, suprimus ose frenus të lirimit të hormoneve.
Shtatzënia është e njohur që suprimon Endometriozen, si dhe menopauza, përndryshe mund të trajtohet në vazhdimësi, mirëpo shërim të plotë nuk ka gjatë moshës fertile dhe gjatë kohës aktive të hormoneve femërore.