Dëmet nga shiu ua vështirësojnë trajtimin pacientëve me kancer
Reshjet e shiut fundjavën e kaluar shkaktuan dëme materiale në Klinën e Onkologjisë Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Arsyeja është kjo?
Kompanitë e kontraktuara për renovimin e kulmit të kësaj klinike, nuk arritën të kryenin punimet me kohë.
Për pasojë, dokumentet e pacientëve janë dëmtuar, janë prishur disa kompjuterë, janë dëmtuar tavanet dhe muret e zyrave dhe dhomave të pacientëve, që marrin trajtimin për lloje të ndryshme të kancerit në Onkologji.
Më 7 dhe 8 gusht, ekipi i Radios Evropa e Lirë vizitoi këtë klinikë dhe pa nga afër dëmet e shkaktuara nga shiu që depërtoi aty.
Në kohën kur ka nisur sanimi i dëmeve, nën zhurmën e sharrave e çekanëve, pacientët merrnin terapitë e tyre kundër kancerit.
“Po na pengon [zhurma] pak, por çka të bëjmë. Edhe ata duhet të punojnë”, tha për Radion Evropa e Lirë një paciente e shtrirë në katin e dytë të Onkologjisë.
Shiu shkaktoi dëme edhe në kuzhinën e klinikës, nga ku shpërndahet ushqimi për pacientët.
Shiu që depërtoi në klinikë ka prekur edhe kabinetin e citostatikëve, aty ku përgatitet terapia për pacientët që trajtohen me kimioterapi.
Kjo ka detyruar stafin të ndryshojë vendin e materialit për përgatitjen e terapisë për pacientët me kancer.
Në një prej dhomave, ku pacientët marrin terapinë, për shkak të rrjedhjes së vazhdueshme të ujit, janë larguar dy shtretër të pacientëve.
Për renovimin e kulmit të Onkologjisë janë angazhuar dy kompani private. Të pyetur për punën dhe dëmet e shkaktuara në klinikë, përfaqësuesit e kompanisë nënkontraktuese sqaruan se deri te depërtimi i ujit në klinikë erdhi për shkak se kompania kryesore, që ka fituar tenderin për renovim, nuk ka arritur me kohë të sjellë materialin për mbulimin e kulmit dhe prandaj janë shkaktuar dëmet fundjavën e kaluar.
Por, kompania kryesore, në komunikimet që ka pasur me zyrtarët përgjegjës, ka thënë se masat paraprake mbrojtëse janë marrë, por dëmet u shkaktuan për shkak të erërave të forta.
Mbikëqyrja e punimeve në kulmin e Onkologjisë është në përgjegjësinë e Ministrisë së Ekonomisë.
Njomzaj Blakaj, menaxhere e projektet të efiçencës së energjisë, tha për REL-in se në kontratën e punimeve është specifikuar se gjitha dëmet eventuale të shkaktuar gjatë ndërtimit do t’i marrë përsipër kompania që e ka fituar tenderin.
“Kompania ndërtuese, pas gjendjes së krijuar ka thënë se do t’i bëjë të gjitha sanimet e dëmeve të shkaktuar”, tha Blakaj.
Të njëjtën gjë e kanë konfirmuar edhe përfaqësuesit e kompanive ndërtuese.
Drejtoria e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) po pret që të bëhet vlerësimi i saktë i dëmeve.
“Ne presim që të bëhet një vlerësim i saktë i dëmeve dhe të rregullohen sa më parë”, tha një nga drejtorët në SHSKUK.
Në Klinikën e Onkologjisë, tashmë të dëmtuar nga reshjet e shiut, nga fillimi i vitit e deri në muajin korrik janë kontrolluar 30.000 persona.
Deri po atë muaj, janë konfirmuar 1.224 raste të reja me kancer.
Në këtë klinikë, në vitin 2022 ishin kontrolluar apo kishin marrë shërbime 47.351 persona, ndërkaq 1.736 ishin raste të reja.
Klinika e Onkologjisë në Prishtinë është e vetmja qendër në Kosovë, ku të prekurit me kancer marrin kimioterapinë apo trajtime të tjera të nevojshme për ta.
Brenda 24 orëve, aty mesatarisht marrin shërbime rreth 400 pacientë, që vijnë nga qytete të ndryshme të Kosovës.
Shpeshherë, pacientet aty presin në radhë me orë të tëra për të gjetur shtrat për të marrë kimioterapi. /REL