Kina synon që t’ua kufizojë fëmijëve qëndrimin në telefon për dy orë në ditë

Rregullatori i kinez i kibernetikës tha të mërkurën se fëmijëve nën moshën 18-vjeçare duhet t’u kufizohet qëndrimi në telefona në maksimalisht dy orë në ditë. Ky koment shkaktoi rënie të vlerës së aksioneve të kompanive të teknologjisë.

Administrata e Hapësirës Kibernetike të Kinës tha se dëshiron që ofruesit e pajisjeve të mençura të sjellin programe për të mitur që do t’ua kufizonin fëmijëve qasjen në internet në telefona nga ora 22 deri në orën 6 të mëngjesit, raporton agjencia “Reuters”.

Përdoruesve të moshave 16 deri 18-vjeçare do t’u lejoheshin nga dy orë në ditë, fëmijëve nga moshat 8 deri 16-vjeçare nga një orë në ditë, ndërsa fëmijëve nën moshën 8-vjeçare vetëm nga tetë minuta në ditë.

Megjithatë, ky rregullator tha se ofruesit e shërbimeve duhet t’u mundësojnë prindërve që, nëse duan, të mos i respektojnë këto kufizime për fëmijët e tyre.

Investitorët nuk e pritën mirë këtë lajm. Vlera e aksioneve në kompanitë kineze të teknologjisë kryesisht ra gjatë tregtimit të pasdites në Hong-Kong pas publikimit të draft-udhëzimeve nga rregullatori, i cili tha se ato do të jenë të hapura për komente nga publiku deri më 2 shtator.

Xia Hailong, avokat në kompaninë ligjore “Shanghai Shenlun”, tha se këto rregulla do të ishin dhimbje koke për kompanitë e internetit.

“Shumë përpjekje dhe kosto shtesë për t’i zbatuar në mënyrën e duhur këto kërkesa të reja të rregullatorit dhe rreziku për moszbatim do të jetë i lartë, gjithashtu. Prandaj, unë besoj se shumë kompani të internetit mund ta shqyrtojnë drejtpërdrejt ndalimin e përdorimit të pajisjeve të tyre nga të miturit”, tha ai.

Autoritetet kineze viteve të fundit kanë shprehur gjithnjë më shumë shqetësim për shkallën e varësisë nga interneti në mesin e të rinjve.

Në vitin 2021, autoritetet vendosën orë policore për përdoruesit e lojërave elektronike nën moshën 18-vjeçare. Kjo masë ishte goditje e rëndë ndaj gjigantëve të lojërave, si kompania “Tencent”. /nacionale