Beqa i PDK-së kritikon OSHP-në: Vendimet e tyre në kundërshtim me ekspertët që i angazhoi vetë

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike është duke shqyrtuar raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore te Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2022.

Gjatë mbledhjes u tha se nevojiten përmirësime sa i përket menaxhimit dhe raportimit të pasurive nën një mijë euro, derisa u ngritën kritika edhe për performancën e këtij organi.

Mirëpo, kryetarja e OSHP-së, Vjosa Gradinaj-Mexhuani tha se kanë pasur ngarkesë të madhe sa i përket shqyrtimit të të gjitha lëndëve të grumbulluara, derisa ngriti shqetësime për mungesën e stafit.

 “Me këtë gjetje që e kemi marrë nga auditori ne jemi pajtuar. Kemi pasur një ngarkesë tejet të madhe sa i përket shqyrtimit të të gjitha lëndëve të grumbulluara. Edhe për këtë gjetje ne kemi filluar me zbatimin e rekomandimeve. Por shqetësim për ne është angazhimi i ekspertëve të jashtme”, ka theksuar ajo.

Ndërkaq deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa kërkoi nga kryetarja e OSHP-së që të punojnë më shumë në rritjen e imazhit të këtij organi.

Ai tha se shumica e vendimeve që janë marrë kanë qenë në kundërshtim me ekspertët që ky organ ka angazhuar vet.

“Ju kisha rekomanduar që ta rrisni imazhin e OSHP-së. Është krijuar përceptimi se OSHP punon në bazë të sekserave e jo në bazë të ligjit. Shumica e vendimeve janë në kundërshtim me ekspertët që i angazhoni vet. Mundohuni me e rrit këtë nivel që kur operatorët të vijnë te ju të dijnë a do të përfundojnë lëndën në bazë të ligjit apo çfarë thotë dikush. Kisha pas dëshirë që kjo pikë të përmirësohet sepse është shumë me rëndësi. Shumë lëndë tuajat shkojnë në gjykatë. Unë e kisha një rekomandim që organi për çështje të njëjta merr vendime të ndryshme. Unë mendoj që organi duhet t’i ketë vendimet kredibile pasi nuk ka harmonizim të tyre”, ka shtuar ai.

Deputetit Beqa i replikoi kryetarja e OSHP-së e cila tha se asnjëherë nuk ka marrë vendime të ndryshme për një çështje të caktuar.

 “Ne e kemi krijuar një lloj sistemi dhe me sa e di unë asnjëherë nuk ka ndodh që për një çështje me vendos ndryshe. Ajo çfarë kam kërkuar nga ambasada britaneze është se na nevojitet një sistem më i avancuar sa i përket vendimeve tonë. Pasi kemi shumë lëndë dhe ndoshta mundemi me e harru se si e kemi gjykuar një rast”, ka shtuar ajo.

Gradinaj-Mexhuani tha se për t’u bërë ndryshime në OSHP, duhet të rekrutohet staf shtesë. /rtk