Temperatura të larta, MSH-ja me apel

Gjatë kësaj jave temperaturat në vendin tonë pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius.

Si rezultat i masave të nxehta të ajrit, IHMK-ja ka bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë këtyre ditëve.

“Meqë indeksi UV do të jetë shumë i lartë, rekomandohet që të kufizohemi sa më shumë nga rrezet e diellit, të bartim syze mbrojtëse nga rrezet e diellit, ombrellë, rroba me ngjyra të lehta, kremra adekuate për mbrojtjen e lëkurës, të pimë ujë sa më shpesh”, ka apeluar IHMK-ja.

E kujdes gjatë këtyre ditëve ka kërkuar edhe Ministria e Shëndetësisë. MSH-ja ka kërkuar nga prindërit të kenë kujdes ndaj fëmijëve gjatë këtyre ditëve.

Ministria ka renditur nëntë hapa se si duhet të kujdesemi për fëmijët në këto ditë të nxehta:

- Mos i ekspozoni në diell fëmijët e moshës 0 – 6 muaj;

- Përdorni kapelë me strehë të gjerë për të gjitha moshat;

- Vishni me rroba të gjera dhe të lehta;

– U jepni ujë rregullisht;

- Pastroni rregullisht.

- Kujdesi ndaj fëmijëve gjatë qëndrimit në pishinë/det

- Aplikoni kremin kundër diellit çdo 2 – 3 orë, jo më pak se me faktor mbrojtës 20;

- Në javën e parë të ekspozimit në diell përdorni produkte me faktor mbrojtës jo më pak se 50;

- Mos i dërgoni në parkun e lodrave në intervalin kohor prej orës 10:00 – 17:00;

- Fëmijët e vegjël duhet të mbikëqyren nga të rriturit, jo nga fëmijët më të mëdhenj, sepse edhe ata janë të shtyrë për të luajtur dhe mund të shpërqendrohen lehtësisht.