Rregullat e reja: Policët duhet të deklarojnë të dashurat e tyre

Rregullat e reja që do të hyjnë në fuqi për Policinë Metropolitane në Britaninë e Madhe, parashikojnë që oficerëve t’u ndalohet kontakti me punonjëset e seksit dhe që të deklarojnë të gjitha lidhjet e tyre të dashurisë.

Përveç deklarimit për çdo marrëdhënie romantike, oficerët gjithashtu duhet të tregojnë burimin e çdo fitimi të papritur mbi 5,000 £ sipas udhëzimeve më të rrepta të lëshuara në prill, si pjesë e një përpjekjeje për të rivendosur besimin e publikut te Policia Metropolitane.

Rregullat e reja hyjnë në fuqi pasi një sërë skandalesh ku janë përfshirë oficerë të ndryshëm, ku përfshihen vrasësi Wayne Couzens dhe përdhunuesi serial David Carrick, kanë tronditur opinionin publik.

Një zëdhënës i policisë Metropolitane teksa foli për rregullat e reja tha: Futja e tyre në fuqi është e rëndësishme nëse duam të sigurojmë që njerëzit e duhur të bashkohen me ne. Por është po aq e rëndësishme që fuqia jonë punëtore ekzistuese të vazhdojë të përmbushë standardet dhe nivelet e larta të verifikimit që priten me të drejtë prej tyre gjatë gjithë karrierës.

Kjo është hera e parë që shkuarja me punonjës seksi u ndalohet në mënyrë specifike agjentëve nga Scotland Yard, pasi më parë ka pasur vetëm “tërheqje veshi” në lidhje me incidente të ndryshme brenda forcës, sipas rregulloreve të përgjithshme.