Çitaku reagon ndaj Kurtit për mospjesëmarrje në takimin në Tiranë: Rama s’të ftoi në dasmë
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e ka quajtur fëmijërore dhe të papërgjegjshme sjelljen e kryeministrit Albin Kurti, i cili ka thënë se nuk mund të marrë pjesë në takimin joformal në Tiranë, për shkak të pjesëmarrjes së tij në një konferencë në Greqi.
Çitaku ka thënë se si qenka më me rëndësi konferenca në Greqi sesa takimi me liderët e rajonit në Tiranë.
“Fëmijërore dhe politikisht e papërgjegjshme sjellja e kryeministrit Kurti. Si qenka më me rëndësi një konferencë në ishujt e bukur të Greqisë sesa takimi me liderët e rajonit dhe Komisionin Evropian në Tiranë?! Kryeministër, Edi Rama nuk të ka ftuar në dasmë familjare, por në takim me liderët e rajonit, në kuadër të Procesit të Berlinit”, shkroi Çitaku.
Ajo shtoi se në takime të tilla nuk duhet të ketë asgjë personale.
“Në takime të tilla mospjesëmarrja juaj nuk është më refuzim personal i juaji karshi Ramës. Nuk ka asgjë personale këtu. Mosdurimi dhe qasja e juaj idhnake karshi kryeministrit shqiptar po e dëmton Kosovën”, tha Çitaku.
Ndryshe, sot në Tiranë do të mbahet një takim joformal i udhëheqësve të Ballkanit, ku i pranishëm do të jetë edhe komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheyli.