Rritet numri i rasteve të prekura me sëmundje malinje

Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë evidentuar 900 raste të reja me kancer në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Krahasuar me vitin e kaluar për të njëjtën periudhë, numri i rasteve të reja është rritur për 10% me vitin paraprak.

Në Kosovë është rritur numri i rasteve të prekura me sëmundje malinje. Njëra prej pacienteve në kushte anonimiteti ka rrëfyer për Radio Kosovën historinë e saj me sëmundjen e kancerit të gjirit, i cili është edhe më i shprehuri.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, thotë për Radio Kosovën se deri në fund të vitit mund të identifikohen deri dy mijë raste të reja.

“Këtë vit në Kosovë për gjashtëmujorin e parë janë identifikuar rreth 900 raste te reja në krahasim me vitin e kaluar. Numri është për 10% më shumë dhe deri në fund të vitit, mund të regjistrojmë rreth 2 mijë raste të reja më kacer”, ka thënë Kurtishi.

Sipas Kurtishit, numri i rasteve përfshin të gjitha llojet e tumoreve, por që kryesisht dominon kanceri i gjirit te femrat.

Edhe pse në mungesë të stafit, në Klinikën e Onkologjisë brenda ditës marrin shërbim rreth 280 pacientë, ndërsa rreth 100 pacientë trajtohen me rrezatim.

Numri total edhe në Shërbimin e Kimioterapisë dhe Radioterapisë kap shifrën 300-350 persona brenda ditës.