Twitter-i kërcënon me veprim ligjor ndaj aplikacionit Threads

Kompania Twitter po shqyrton mundësinë për veprim ligjor ndaj kompanisë Meta, pas lansimit të aplikacionit rival, Threads.

Threads, që u lansua të mërkurën dhe në të u regjistruan miliona përdorues, është i ngjashëm me Twitter-in dhe nga Meta është vlerësuar si një alternativ “miqësore” ndaj Twitter-it.

Twitter-i, që është në pronësi të Elon Musk, tha se “konkurrenca është në rregull, por mashtrimi jo”. Por, Meta përmes një letre hodhi poshtë këto pretendime se ish-shefi i stafit të Twitter-it ka ndihmuar në krijimin e Threads-it.

Mbi 30 milionë persona janë regjistruar në aplikacionin e ri, ka thënë Meta.

Threads edhe nga pamja është i ngjashëm me Twitter-in si dhe ka veçori të ngjashme me aplikacionin që është në pronësi të Muskut.

Avokati i Twitter-it, Alex Spiro, i kishte dërguar të mërkurën një letër shefit të Meta-s, Mark Zuckerberg, duke e akuzuar Meta-n për “keqpërdorim sistematik, të qëllimshëm dhe të paligjshëm të sekretareve tregtare të Twitter-it dhe pronës intelektuale të Twitter-it” për të krijuar Threads-in.

Spiro ka pretenduar se Meta ka punësuar dhjetëra ish-punonjës të Twitter-it të cilët “kishin vazhduar të kishin qasje në sekretet tregtare të Twitter-it dhe informacioneve të tjera konfidenciale” që ndihmuan Meta-n të krijonte aplikacionin Threads.

“Twitter planifikon të zbatojë rreptësisht të drejtat intelektuale dhe kërkon nga Meta që menjëherë të ndërmarrë hapa dhe të ndalojë së përdoruri sekretet tregtare të Twitter-it dhe informacionet e tjera jashtëzakonisht konfidenciale”, u tha në letër.

Në Threads, zëdhënësi i Meta-s, Andy Stone, postoi një deklaratë ku thuhej se “askush në ekipin e inxhinierëve në Threads nuk është ish-punonjës i Twitter-it”.

Si Musk ashtu edhe Zuckerberg e kanë pranuar se kanë rivalitet sa i përket Threads-it, aplikacion që është i lidhur me Instagram-in, por funksionon edhe si aplikacion më vete. /REL