Çka është Pap-testi dhe çka duhet të dijë çdo grua për Pap-test?

Pap-testi ose Papanicolaou-testi është një test që ka fillimin në vitin 1928.

U bëhet grave në formë depistimit (skrinimit) duke marrë dhe ekzaminuar qeliza nga qafa e mitrës, me qëllim të zbulimit të hershëm të sëmundjeve të qafës së mitrës (sëmundjeve para kancerit dhe kancerit të qafës së mitrës). Kur Pap-testi është pozitiv, atëherë vazhdohet me metodat e tjera diagnostikuese (kolposkopia, biopsia me kyretazhin e kanalit cervikal ndonjëherë edhe të brendisë së mitrës).

Nga të gjitha kanceret e organeve gjinore të gruas (endometriumit, ovarëve, cerviksit, uterusit, vagjinës, vulvës) vetëm cerviksi (qafa e mitrës) ka screening test / Depistim.

Është metodë e lehtë, nuk shkakton dhembje dhe gratë nuk duhet të kanë frikë nga kjo procedurë, duhet gjetur kohë dhe vullnet, sepse diagnostikimi i hershëm i sëmundjeve të qafës së mitrës garanton shërim me sukses.

Kur duhet të fillohet me Pap-test?

Udhërrëfyesi në Kosovë rekomandon:

Fillohet ma Pap-test prej moshës 21 vjeçe nëse ka së paku tre vjet jetë seksuale.

21-29 vjeç bëhet Pap-test çdo tre vjet, kuptohet nëse rezultati i parë është mirë.

30 – 65 vjeç Pap-testi dhe testi në virus HPV çdo tre vjet, nëse rezultati është mirë.

Pas moshës 65 vjeçe testimi ndërpritet nëse tri rezultatet e fundit janë negative dhe testimi në virus HPV në dhjetë vjetët e fundit është negativ.

Përgatitja për marrje të Pap-testit

  • Pas mbarimit të gjakderdhjes menstruale
  • Të shmangen marrëdhëniet seksuale, medikamentet vaginale, spermicidet së paku dy net përpara.
  • Njohja me procedurë
  • Qelizat nga forniksi i pasmë vaginal, sipërfaqja e cerviksit / në tërë cirkumferencën e zonës së transformimit dhe nga endocerviksi.
  • Bëhet strisho në xhamin e mikroskopit dhe menjëherë fiksohen me:

1. Cytospray ose

2. Alkohol 96% (së paku 10 min.)

  • Preparati jo i kënaqshëm për ekzaminim:
  • Marrja jo e duhur e qelizave
  • Numri i vogël i qelizave jonormale
  • Prani e qelizave të shumta inflamatore
  • Prani e gjakut në material.

Përfundimi me Pap-test

  • Rekomandimet kosesuale janë ndërprerja e testimit të gratë mbi 65 vjeç pas disa rezultateve negative (tri) të Pap-test dhe negativ (në 10 vjetët e fundit) në HPV.
  • Gratë me CIN2, CIN3, Ca in situ të trajtuara duhet të vazhdojnë depistim, fillimisht duke u testuar 6 muaj pas trajtimit.
  • Gratë pas histerektomisë totale për shkaqe beninje nuk kanë nevojë për skrinim.
  • Gratë me histerektomi supracervikale duhet të marrin pjesë në skrinim të organizuar.
  • Gratë HPV pozitiv pas histerektomisë totale duhet vazhduar edhe më tutje me skrinim.
  • Pavarësisht vaksinimit me HPV vaksinë, gratë e vaksinuara i nënshtrohen të njëjtit rekomandim për skrinim si ato të pavaksinuara.
Dr. Aulona Lulaj-Salihu, specialiste e Gjinekologjisë me Obstetrikë