Akupunktura në shtatzëni

Akupunktura që bëhet në fund të shtatzënisë, si formë trajtimi për t’u përgatitur për lindjen, është etabluar gjithnjë e më shumë vitet e fundit. Në këtë mënyrë thuhet se mund të reduktohen dhimbjet e lindjes dhe të lehtësohet lindja. Por si funksionon saktësisht kjo?

Ne e dimë që mjekësia kineze është ndër më të lashtat dhe shpjegon çrregullimet në organizmin tonë në të tjetra parime dhe forma, duke e krahasuar me mjekësinë shkollore që e kemi mësuar ne, rrjedhimisht edhe trajtimi bëhet ndryshe, ndër të tjera edhe me metodën e akupunkturës. Metoda kineze e shërimit synon ta përgatisë në mënyrë optimale gruan shtatzënë për lindjen e fëmijës - si fizikisht, ashtu edhe mentalisht.

Akupunktura është një pjesë e mjekësisë tradicionale kineze që nga vitet 300-500 para Erës së Re dhe mund të përdoret në shumë vende të botës për shumë ankesa gjatë dhe jashtë shtatzënisë.

Simptomat tipike të shtatzënisë, ndër të tjera, mund të jenë:

  • Hiperemesa (të vjellat në shtatzëni)
  • Nausea (mundimi)
  • Konsitipacioni (kapsllëku)
  • Frika, parehatia
  • Dhimbje të parakohshme
  • Çrregullime të gjumit
  • Dhimbje të shpinës
  • Hipertensioni në shtatzëni
  • Kokëdhembja etj.

Për shembull, shumë gra shtatzëna shpesh kanë frikë nga dhimbjet gjatë lindjes. Frika të tilla mund të nxisin stresin psikologjik dhe të ndërhyjnë në punën natyrale dhe aktivizimin normal të fillimit të lindjes. Akupunktura prenatale aplikohet për të ndihmuar nënat e ardhshme të relaksohen dhe të zvogëlojnë ankthin rreth lindjes së fëmijës.

Një efekt pozitiv i akupunkturës prenatale është se redukton përjetimin e dhimbjeve. Përveç kësaj, kohëzgjatja e kontrakcioneve të dilatimit të qafës së mitrës, si dhe kohëzgjatja e lindjes mund të reduktohet.

Një studim nga Klinika e Gjinekologjisë me Obstetrikë në Mannheim tregon se procesi i lindjes mund të shkurtohet me rreth dy orë.

Nga kur dhe sa shpesh është e mundur akupunktura prenatale?

Akupunktura është një metodë pa komplikime dhe pothuajse pa dhimbje. Rreth gjashtë deri në tetë gjilpëra vendosen në një seancë - gjithmonë në të dyja anët e trupit.

Gratë shtatzëna mund të fillojnë akupunkturën për të ndihmuar lindjen nga java e 36-të e shtatzënisë. Trajtimi me akupunkturë kryhet çdo javë për rreth 20 deri në 30 minuta. Si rregull, gratë shtatzëna bëjnë deri në tri seanca para lindjes.

Nga java e 38-të e shtatzënisë akupunktura mund të ketë një efekt nxitës të lindjes. Nëse dita ose data e llogaritur për lindje ka kaluar, mund të zhvillohen seanca të mëtejshme të akupunkturës.

Efektet anësore - a është akupunktura e rrezikshme gjatë shtatzënisë?

Në përgjithësi, akupunktura nuk shoqërohet me ndonjë rrezik. Megjithatë, kushdo që ka frikë nga gjilpërat nuk duhet të kërkojë këtë formë trajtimi.

Por si çdoherë këshillojmë të diskutoni me mjekun tuaj rreth detajeve dhe sa është e përshtatshme për ju kjo formë e trajtimit.

Dr. Aulona Lulaj-Salihu, specialiste e Gjinekologjisë me Obstetrikë