“Matematika” japoneze, nga Toyota pretendojnë se s’kemi nevojë për vetura elektrike për të shpëtuar botën
Toyota ka kryer një studim që tregon se reduktime të konsiderueshme në emetimet e gazrave të veturave mund të arrihen nëse më shumë shoferë përdorin mënyrat e drejtimit Eco ose EV në automjetet e tyre.
Ndërsa modalitetin Eco drive e ka çdo veturë e re në treg, modaliteti i drejtimit EV i referohet hibrideve plug-in të Toyota-s, të cilat kanë bateri mjaftueshëm të mëdha për udhëtime të shkurtra me energji elektrike.
Toyota pretendon se një mënyrë e tillë drejtimi sjell shumë përparësi. Hulumtimi përfshiu punonjësit e Toyota-s dhe anëtarët e familjes së tyre të cilët vozitën më shumë se 600 mijë kilometra në modalitetin Eco ose EV, shkruan CarBuzz, transmeton Telegrafi.
Reduktimi i emetimeve të gazrave të dëmshme arriti nga pjesëmarrësit në hulumtim, duke kursyer 19,270 litra benzinë ëdhe nga Toyota deklaruan se reduktimi i CO2 ishte i barabartë me 748 pemë që thithnin karbonin gjatë 10 viteve. Me fjalë të tjera, u kursyen 45.235.623 gram gaze serrë.
Përdorimi i mënyrës Eco të funksionimit në modelin pa sistemin hibrid ka përparësitë më të rëndësishme, me një reduktim të emetimeve të gazrave të dëmshme me 26 për qind. Në modelin hibrid, ulja është 4 për qind, sepse automjeti tashmë funksionon me efikasitet në modalitetin bazë të drejtimit.
“Ne kemi aftësinë të përdorim të dhëna për të fuqizuar konsumatorët për të bërë një ndryshim”, tha shefi i teknologjisë së Toyota Connected në Amerikën e Veriut, Brian Kursar.
“Ne e dimë se ka miliona automjete Toyota dhe Lexus në mbarë botën. Nëse të gjithë do të vozisin në modalitetin Eco, kjo mund të ndihmojë ndjeshëm në reduktimin e emetimeve tona kolektive të CO2”, shtoi ai.