Drejtori i “Fan Nolit” tregon se si qeni i sulmoi nxënësit dhe tentoi të futej brenda shkollës

Drejtori i shkollës “Fan Noli” në Podujevë, Fatmir Emini, ka dhënë detaje rreth sulmit të qenit ndaj tre nxënësve të kësaj shkolle dhe tre kalimtarëve të rastit.

Emini tha se fillimisht qeni ka tentuar të futej brenda shkollës, por është penguar nga punonjësit teknikë të këtij institucioni dhe më pas ka sulmuar nxënësit dhe kalimtarët e rastit që gjendeshin jashtë oborrit.

“Një qen i racës belge ka tentuar të hyjë në korridorin e parë dhe punëtorët teknikë e kanë larguar nga aty, pastaj ai ka dalë jashtë oborrit të shkollës dhe i ka sulmuar tre nxënës të shkollës sonë, si dhe nxënës që kanë qenë jashtë shkollës. Ka pasur edhe kalimtarë të rastit. Qeni ka qenë i tërbuar dhe janë informuar organet e policisë. Kanë ardhur nga Emergjenca  e Podujevës dhe i kanë dërguar për trajtim në Prishtinë”, ka rrëfyer Emini njofton klankosova.

Nxënësit, sipas Eminit, nuk kanë pasur lëndime të rënda trupore.

Nxënësit, siç bën të ditur drejtori i shkollës, ishin të moshës 15, 16-vjeçare.