Vuçiqi konfirmon se sot do të takohet me Borrellin në Bruksel: Nuk do të flas me Kurtin
Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka bërë të ditur se i ka thirrur për një takim urgjent në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, për të gjetur një rrugëdalje për situatën e tensionuar.
Se një takim i tillë do të zhvillohet sot në Bruksel, e ka konfirmuar edhe vetë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, transmeton Zeri.info.
Vuçiq në “RTS”, ka theksuar se do të udhëtojë sot për në Bruksel dhe do të takohet me Borrellin, por jo edhe me Kurtin, me të cilin siç ka theksuar ai, nuk do të flasë, përcjell tutje “Zëri”.
“Biseda me të nuk ka kuptim, ai na jep leksione për filozofinë, pak për Demaçin, pak për Marksin dhe kaq. Gjithçka tjetër ka të bëjë me persekutimin e serbëve dhe ligjëratat për çështjet e brendshme politike”, ka thënë Vuçiq.
Theksojmë se Borrelli mëngjesin e sotëm përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Twitter, theksoi se i ka thirrur për sot në një takim urgjent në Bruksel Kurtin dhe Vuçiqin, por që më pas e ka edituar këtë postim, duke mos e caktuar ditën se kur do të mbahet ky takim.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se të enjten, më 22 qershor, do të udhëtojë drejt Brukselit për të marrë pjesë në takimin e thirrur nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës. “Nesër do të udhëtoj nga Roma për në Bruksel, duke konfirmuar pjesëmarrjen time në dialogun e nivelit të lartë të thirrur nga përfaqësuesi i lartë Borrell. Do të insistoj në lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve [të Kosovës] që po mbahen peng nga Serbia, shtensionimin e situatës dhe normalizimin e raporteve”, shkroi Kurti në Twitter. /Zëri
Set my itinerary to go to Brussels from Rome tomorrow, confirming my participation in the high-level dialogue meeting convened by HR/VP Borrell. Will insist on the urgent unconditional release of the 3 policemen held hostage by Serbia, de-escalation & normalization of relations.
— Albin Kurti (@albinkurti) June 21, 2023