Gazeta gjermane “Bild” planifikon t’i zëvendësojë disa pozicione në kompani me inteligjencë artificiale
“Bild”-i i Gjermanisë, një nga gazetat më të shitura në Evropë, do të zëvendësojë një sërë punësh editoriale me inteligjencë artificiale si pjesë e një programi 100 milionë eurosh për uljen e kostove, pra priten pushime masive nga puna.
“Gazeta fatkeqësisht do të ndahej me kolegët, detyrat e të cilëve kryhen në botën digjitale nga AI dhe/ose procese të automatizuara”, tha pronari i saj, botuesi më i madh i mediave në Evropë, Axel Springer SE, në një e-mail drejtuar punonjësve, transmeton Telegrafi.
Në atë e-mail thuhej se rolet, pra përshkrimi i punëve të kryera nga redaktorët, zëvendësredaktorët, korrektorët dhe redaktorët e fotografive nuk do të ekzistojnë më si sot, shkruan Frankfurter Allgemeine.
Drejtori ekzekutiv i “Bild”-it, Mathias Dopfener, tha në fillim të këtij viti se mjetet e AI si ChatGPT mund ta bëjnë gazetarinë e pavarur më të mirë se sa ka qenë ndonjëherë ose ta zëvendësojnë atë tërësisht.
Mjetet e inteligjencës artificiale si ChatGPT mund të shkruajnë tekste me cilësi të lartë nga pyetjet e thjeshta të përdoruesve, duke prodhuar gjithçka nga esetë dhe aplikimet për punë deri te poezitë dhe trillimet, por përgjigjet e saj ndonjëherë janë të pasakta ose edhe të fabrikuara.
Pikërisht për shkak të të gjitha të metave që Chat GPT sjell me vete, krijuesit e tij janë të shqetësuar se çfarë mund të çojë inteligjenca artificiale.